Nëntë persona, përfshirë edhe një foshnje kanë vdekur si pasojë e fundosjes së anijes me të cilin po udhëtonin.
Mediat raportojnë se ngjarja tragjike ndodhi derisa ata po përpiqeshin ta kalonin Detin Mesdhe.
Njoftimi u bë të enjten nga Roja Bregdetare italiane, transmeton Klankosova.tv
Sipas tyre, nuk dihet edhe për fatin e 15 personave të tjerë.
Autoritetet e Maltës kërkuan ndihmën e Italisë të mërkurën pas fundosjes së anijes rreth 50 kilometra në juglindje të ishullit të Lampedusës.
Roja bregdetare italiane njoftoi se ka dërguar një ekip të saj tek vendi i ngjarjes, duke arritur të shpëtojë 22 persona.
Po ashtu theksohet se trupat e nëntë viktimave janë gjetur tashmë (në mesin e tyre edhe një foshnje).
Bëhet e ditur se operacioni i shpëtimit ishte i vështirë për shkak të motit të keq dhe kushteve të rënda në këtë zonë, me dallgë që arrinin lartësinë deri në 2.5 metra.
Përkatësia kombëtare e personave në anije nuk dihet ende, por ishulli Lampedusa, që shtrihet në Mesdhe midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit italian të Sicilisë, është porti i parë për shumë migrantë që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
“Fundosje e tmerrshme e anijes në afërsi të Lampedusës gjatë një misioni shpëtimi,” shkroi në rrjetin social X zëdhënësi i UNHCR-së Filippo Ungaro të mërkurën mbrëma. Të mbijetuarit, u dërguan në Lampedusa, “me hipotermi dhe të tronditur,” shtoi ai.
Një aeroplan i rojës bregdetare italiane po vëzhgon zonën përreth anijes së fundosur për persona të tjerë, fati i të cilëve nuk dihet.
Në një operacion tjetër, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar 37 migrantë “të cilët ishin në mëshirën e dallgëve të detit në një varkë të vogël druri rreth 7 metra e gjatë” të mëkurën në afërsi të brigjeve të Lampedusës.