Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e Blerim Isufajt në postin e kryeprokurorit të Shtetit nënkupton se s’ka shpresë për drejtësinë kosovare.
Ai ka thënë se Isufaj s’duhet të jetë në këtë pozitë, derisa shtoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës “s’është pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit”.
“Vështirësit i kemi me kryeprokurorin e Shtetit që në krye është Blerim Isufaj. Fiks para një viti ai doli publikisht e na tha se është hequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, tre muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. Në krye të KPK-së kemi një kësi lloj njeriu. Prokuroria s’është pjesë e zgjidhjes, është pjesë e problemit. Kupola e saj. Krejt këta prokurorë kanë të drejtë të bëhen kryeprokurorë, por po na thonë o Blerim Isufaj o askush tjetër. Për drejtësinë, nëse bëhet kryeprokuror Blerim Isufaj, largqoftë, ose dikush si ai, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se po ta dinte se ishte kështu çështja me KPK-në, “do të garoja të isha kryeprokuror, e jo kryeministër”.
“S’mundet kryeministri t’i shtijë hajnat në burg, duhet të ndërrojë sistemi i drejtësisë…Mandatin tjetër i kemi shanset më të mira pasi kur të kemi vulat e 9 shkurtit çka kemi bërë në 4 vjet, e kur të bëhen ndryshimet në Kushtetuese, mund të ecim më shpejtë e më mirë. Të reformohet KPK-ja”, është shprehur Kurti.