Rritja rekorde e numrit të infektimeve me COVID, ka vënë në lëvizje institucionet kompetente të Kosovës.
Siç bëhet e ditur, nesër pritet të mblidhet Komiteti për Vlerësim dhe Koordinim për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të masave aktuale.
Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë thotë se rritja e numrit të rasteve të infektimit favorizon shtrëngimin e masave.
“Realisht për shkak te variantit Omicron i cili tashmë është dominues në shumicën e shteteve të Europës edhe në shtetet e Ballkanit ka qenë e pritshme se do të ketë një rritje të rasteve, një ngritje të shpejtë të themi ashtu. Ne mund të presim ngritje të rasteve edhe në ditët në vijim duke pasur parasysh karakteristikat që ka ky variant”, tha Hoti.
“Ajo çka për MSH dhe institucionet tjera është me rëndësi, tani që të kemi parasysh dhe ti analizojmë dy indikatorët që e pasqyrojnë më së realisht situatën me Covid që është numri në spitale dhe numri i rasteve që përfundojnë me fatalitet”, tha ai për RTV Dukagjini.
“Pasqyra klinike e rasteve të prekura duket që është për fat të mirë më e lehtë dhe deri më tash institucionet tona, ato që merren me trajtimin klinik të rasteve nuk kanë pasur problem në menaxhimin klinik të rasteve. Kjo nuk do të thotë që në ditët në vijim nuk do të kemi rritje të numrit të pacientëve që do të kërkojnë tretman spitalor për çka ne duhet të jemi të përgatitur dhe t’i kemi në dispozicion të gjitha kapacitetet”, shtoi Hoti.
“Me gjasë takimi i Komitetit për Vlerësim dhe Koordinim do të mbahet ditën e nesërme në ndërtesën e qeverisë. Ky është një mekanizëm që përfaqëson institucionet të ndryshe të qeverisë’, tha ai.
Ndërkaq, jozyrtarisht mësohet se do të ketë masa të reja, përfshirë ndryshimin e orarit të orës policore, gastronomisë etj.
Ndryshe, më 19 janar se në Kosovë janë regjistruar 2,050 raste të reja me coronavirus. Kjo shifër paraqet një rritje të madhe krahasuar me një ditë më parë, kur u regjistruan 720 infektime.
Ndërkaq, raste aktive me COVID-19 janë 7,266.
Sa i përket vaksinimit, autoritetet kanë administruar edhe 5,348 doza të reja të vaksinës kundër coronavirusit.
Deri më tani, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 798,225 persona apo 44 për qind.
Në Kosovë, personat mbi 12 vjeç mund të vaksinohen kundër koronavirusit. Ndërkaq, qytetarët mbi 18 vjeç, që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh, mund të marrin dozën përforcuese apo dozën e tretë të vaksinës.