Në Maqedoninë e Veriut sot është heshtje, para zgjedhjeve të nesërme, të shtata presidenciale.
Heshtja përfundon më 24 prill në orën 19:00, kur mbyllen vendvotimet.
Këtë vit, për shkak se mbahen zgjedhje të dyfishta, gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale, nuk ka ndërprerje të fushatës për zgjedhjet parlamentare të caktuara për më 8 maj.
Zakonisht një ditë para zgjedhjeve, votimi për zgjedhjet presidenciale mbahet për të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, të burgosurit në Shtëpitë ndëshkuese-përmirësuese dhe personat në paraburgim, në shtëpitë e të moshuarve dhe shtetasit tanë jashtë vendit.
Kandidatët për president në Maqedoninë e Veriutjanë: presidenti aktual Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, Arben Taravari nga koalicioni VLEN, Biljana Vakovska e mbështetur nga e Majta, Maxim Dimitrievski ZNAM dhe Stevço Jakimovski nga GROM. Për zgjedhjet presidenciale, në listën zgjedhore janë regjistruar 1.814.317 zgjedhës.
Në Maqedoninë e Veriut, janë të regjistruar 1.713.758 zgjedhës, ndërsa jashtë vendit apo zyrat konsullore mund të votojnë 2.569 zgjedhës.
Këto zgjedhje janë përcjellur me reagime të mëdha edhe në Kosovë. Kjo si shkak i përfshirjes së kryeministrit Kurti duke pasur edhe kandidatë nga partia Vetëvendosje.
Kurti është duke përkrahur opozitën shqiptare në Maqedoni, kundër Ali Ahmetit.
Bujar Osmani, kandidati për president nga koalicioni Fronti Evropian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, është ka theksuar disa herë gjatë fushatës se në Maqedoninë e Veriut, nuk do të mund të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, pa një marrëveshje për votimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Pres që VMRO-DPMNE-ja opozitare, nëse arrin ta ketë shumicën në zgjedhjet parlamentare, të pajtohet me ndryshimet kushtetuese për të formuar qeverinë, ndërsa kundërshtimin e deritanishëm të saj më tepër e vlerësoj si qëndrim për të fituar pikë politike”, thotë Osmani.
Ai ka folur edhe për rreziqet ruse, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kërcënimet ruse mund të kenë pasoja mbi marrëdhëniet ndëretnike, që janë shtylla e stabilitetit dhe e sigurisë në Maqedoninë e Veriut”, vlerëson Osmani.