Një incident i rëndë i ngacmimit seksual është raportuar mbrëmjen e së hënës në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur më 16 shkurt 2026, rreth orës 17:30, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, ku i dyshuari I.B., rreth 40-vjeçar dyshohet se ka përcjellë dy vajza të mitura, rreth moshës 10–11 vjeç.
Sipas të dhënave hetimore, sapo vajzat kanë hyrë në një rrugë anësore pa dalje, i dyshuari ka shfrytëzuar rastin dhe është zhveshur, duke ekspozuar organin gjenital para tyre. Të frikësuara, të miturat janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa identiteti i tyre ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
I njëjti person dyshohet se ka ngacmuar edhe një viktimë tjetër, D.Ç., rreth 23-vjeçare, po në të njëjtin lokacion. Rasti është konfirmuar edhe nga dëshmitarja A.Ç., rreth 26-vjeçare.
Veprimet e të dyshuarit janë kapur nga kamerat e sigurisë, pamje të cilat janë siguruar nga Stacioni Policor “Veriu”.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalet në mbajtje për 48 orë. Ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes ndërsa rasti është iniciuar si “Ngacmim seksual”. Hetimet janë në vazhdim.
