Ngjarja në ndërtesën e MUP-it në Prizren, flet dëshmitari Schreckenbauer

Ngjarja në ndërtesën e MUP-it në Prizren, flet dëshmitari Schreckenbauer

Dëshmitari Helmut Schreckenbauer ka deklaruar të enjten në Hagë se, sipas raportit që përshkruante ngjarjen që kishte ndodhur në ish-godinën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) në Prizren, nuk arrihet në përfundim nëse autorët e krimit ishin shqiptarë apo jo.

Schreckenbauer, i cili po dëshmonte në gjykatën ndërkombëtare, theksoi se, kur ekipi i hetuesve kishte mbërritur në ndërtesë, ajo ishte e pabanuar. Nga informacionet që kishin marrë, ata zbuluan se në katin e parë të godinës ishte gjetur një person i vdekur. Megjithatë, përshkrimi i mëtejshëm i ngjarjes dhe hetimi i rrethanave të krimit nuk mundën të përcaktonin identitetin e plotë të autorëve, duke e lënë këtë çështje të paqartë.

“Së pari, fillimisht ndërtesa ishte bosh, por kur ne i lejuam të lënduarit të kthehen sërish në ndërtesë, ishte një dhomë ku u kemi dhënë trajtim mjekësor të lënduarve dhe nuk më kujtohet se kur arritëm aty të gjithë të lënduarit ishin jashtë ndërtesës apo ndoshta Policia Ushtarake i ka lejuar ata që të dalin jashtë ndërtesës. Këtë nuk e di. Me qëllim që t’i japim trajtim atyre i lejuam që të hyjnë në ndërtesë sërish dhe u futëm në ndërtesë bashkë me Policinë Ushtarake sepse morëm informacionin se në katin e parë të ndërtesës ishte një person i vdekur, në atë moment nuk më kujtohet të ketë patur njerëz të tjerë në ndërtese”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Helmut Schreckenbauer deklaroi se personat e lënduar në ish-godinën e MUP-it në Prizren ishin në gjendje të ecin vetë. Ai shtoi se kishte vëzhguar një dhomë të pajisur me instrumente torturimi, e cila ndodhej në të njëjtin kat dhe afër vendit ku ishte gjetur një trup i pajetë. Schreckenbauer sqaroi se kontrollimi i asaj dhome nuk ishte në përgjegjësinë e tij, por i Policisë Ushtarake.

Më pas, iu prezantua një raport që nuk identifikonte numrin e autorëve të krimit, dhe u pyet nëse ai pajtohej me këtë përfundim. Prokurorja Alexandra Insinga e kundërshtoi pyetjen, duke vënë në dyshim relevancën e saj. Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, kërkoi që avokati Victor Baisheu të shpjegonte qëllimin e pyetjeve, të cilat, sipas tij, shkonin përtej fushës së pyetjeve të Prokurorisë. Avokati Baisheu theksoi se raporti nuk mund të përcaktonte nëse autorët ishin shqiptarë.

“Relevanca është që këto raporte janë kërkuar që të pranohen në prova materiale dhe kryerësit e veprave në këto raporte janë persona të paidentifikuar”, tha Baisheu.

Kështu, që avokati pyeti sërish dëshmitarin se a pajtohet që në bazë të atij raporti nuk është e mundur që të arrihet në përfundimin se kryerësit e veprës kanë qenë shqiptarë. Si rrjedhojë, gjykatësi e lejoi avokatin Baisheu që të vazhdojë me pyetjet.

“Kjo s’ka qenë detyra ime si mjek. Nuk është që unë të gjej kryerësit e veprës, por detyra ime ishte që të konstatoj që dikush ka vdekur dhe më sa ishte e mundur të jepja informacion lidhur me shkakun e vdekjes. Unë nuk jam oficer policie, s’kam qenë as atëherë oficer policie që të gjej kryerësit e veprës”, u përgjigj Schreckenbauer.

Më pas, dëshmitari mohoi se ka marrë ndonjë informacion që kryerësit e veprës ishin shqiptarë në kohën sa ishte në vendin e krimit të pretenduar.

Pyetje për dëshmitarin pati edhe trupi gjykues i përfaqësuar nga gjykatësi Christoph Barthe, i cili pyeti se atë ditë a kishte parë trupa serbë në afërsi të ndërtesës.

“Nuk kam vënë re asnjë trup serb në atë kohë. Të vetmit trupa serbë që kam parë unë në atë kohë është ditën kur jemi kthyer në Prizren sepse atë ditë kur jemi kthyer në Prizren kishte ende forca serbe, por më pas nuk kam vënë re trupa serbe”, tha Schreckenbauer, i cili shtoi se kur kanë hyrë në Prizren ka qenë rreth 12 apo 14 qershor 1999.

Schreckenbauer tha se nuk e kishte parë diçka të veçantë atë ditë, më 18 qershor 1999, që tregonte se kush e kishte përdorur këtë ndërtesë.

Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë çështje gjyqësore për të vazhduar më pas të hënën, më 27 janar 2025, sipas orarit të zakonshëm nga ora 09:00 me 45 minuta vonesë në transmetim. /GazetaEnigma/

Related Articles