Partia Demokratike e Kosovës (PDK), këtë javë më 3 korrik do të mbajë Konvetën ku do të zgjedh kryetarin e ri.
Edhe pse kanë mbetur edhe pesë ditë deri në afatin e paraparë për paraqitje të kandidaturave, deri më tani asnjë kandidaturë nuk është shpallur zyrtarisht. Kështu wshtw pwrgjigjur në një prononcim për Telegrafin, sekretari elektoral Betim Gjoshi.
“Jemi në pritje të kandidaturave, ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare”, ka thënë Gjoshi.
Ai ka shtuar se do ta mbajnë të informuar opinionin lidhur me zhvillimet më të reja rreth Konventes.
“Do të ofrojmë mbështetje dhe transparencë karshi atyre që kanë interes për të kandiduar”, u shpreh Gjoshi.
Ndryshe në media dhe në publik deri tash si kandidatë potencial për të marrë drejtimin e PDK-së, janë përmendur: Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, Uran Ismaili e Bedri Hamza.
Ndryshe PDK ka njoftuar se kandidatët që synojnë të kandidojnë për kryetar duhet që të shpall kandidaturën e tyre më së largu me 1 korriku dhe duhet të ketë 50 nënshkrime të delegatëve nga 818 sa ka gjithsej Konventa.