Rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë, ka bërë që në Kliniken Infektive të mbushen të gjithë shtretërit me pacientë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, në një prononcim për Front Online tha se gjatë 24-orëve të fundit në mesin e viktimave nga Covid-i ka qenë edhe një 86 vjeçar me sëmundjen e kancerit.
“Gjithsej në Kliniken Infektive janë të hospitalizuar 115 pacientë, ndërsa si pasojë e CoronaVirusit në 24-orët e fundit në mesin e viktimave ka qenë edhe një 86 vjeçar i prekur me sëmundjen e kancerit”, shtoi ai.
Tutje Vishaj shtoi se në raste të rralla po infektohet pacientët e vaksinuar.
“Personat që janë të vaksinuar nëse infektohen po e kalojnë lehtë virusin, por rrallë po ndodhë që personat e vaksinuar të infektohen me COVID-19”, tha Vishaj.
Ndërsa, Vishaj tha se 110 pacientë janë në oksigjeno-terapi me CoronaVirus.
“Momentalisht janë 110 pacientë me oksigjeno-terapi, ku të vaksinuar me një dozë janë 9 persona, ndërsa me dy doza 8 të tjerë “, përfundoi ai.
Sipas statistikave të dërguara nga Vishaj së fundi janë regjistruar dy viktima nga COVID-19, ndonëse kanë qenë të vaksinuar, ku njëri nga viktimat i ka pasur dy doza të vaksinës Pfizer.
Ndryshe, vetëm sot në Kosovë janë regjistruar 32 viktima dhe një mijë e 612 raste të reja me CoronaVirus.