Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë. Jeffrey Hovenier ka thënë se tashmë marrëveshja e arritur në Ohër ka filluar të zbatohet.
Diplomati amerikan ka thënë se SHBA-ja beson fuqishëm se marrëveshja duhet të zbatohet urgjentisht.
“Para së gjithash, unë do të thoja se një pjesë e marrëveshjes po zbatohet tashmë dhe natyrisht është një proces për të zbatuar të gjithë marrëveshjen. Shtetet e Bashkuara besojnë fuqishëm se marrëveshja duhet të zbatohet urgjentisht dhe ne gjithashtu kemi dëgjuar të njëjtën gjë të thotë edhe kryeministri i Kosovës.”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë se hapi i radhës është takimi i 4 prillit për të cilin shpreson të jetë një takim i suksesshëm.
“Hapi tjetër është takimi më 4 prill, e dini se dialogu i Miroslav Lajçakut është një dialog i ri i lehtësuar që po i tërheq kryenegociatorët të bisedojnë pikërisht për ato çështje dhe ne presim një takim të suksesshëm në mënyrë që të ecim përpara zbatimin e marrëveshjes.”, ka shtuar Hovenier përT7.
Ndryshe, më 18 mars, Kosova dhe Serbia u dakorduan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të planit evropian, për të cilin palët u dakorduan në fund të shkurtit në Bruksel.
Ndërsa, më 4 prill është konfirmuar nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, se do të mbahet një takim në nivel kryenegociatorësh.