BBC ka përfshirë në listën e saj të 12 fotografive më të rëndësishme të vitit 2025 një imazh të realizuar gjatë zjarreve të mëdha që përfshinë Greqinë këtëë verë.
Fotografia është shkrepur nga Thanasis Stavrakis, fotoreporter i agjencisë Reuters, dhe tregon 33-vjeçarin shqiptar Oslien Muçobega teksa shpëton një dele nga flakët në zonën e Patrës. Ai e transporton kafshën mbi motor, duke kaluar përmes tymit dhe zjarrit.
Ngjarja ndodhi gjatë muajit gusht, kur rajoni i Ahaisë në Greqinë perëndimore u përfshi nga zjarre masive, të cilat detyruan shumë banorë të largoheshin dhe vunë në rrezik jetën e njerëzve dhe të kafshëve.
BBC e ka përshkruar fotografinë si një pamje me domethënie të veçantë, duke e krahasuar me paraqitjet e hershme të “Bariut të Mirë” në artin e krishterë, ku Krishti shfaqet duke mbajtur mbi supe një kafshë të brishtë.
Sipas medias britanike, kjo lidhje simbolike e bën fotografinë një nga momentet më të fuqishme dhe domethënëse të vitit.