Të rriturit që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19 kanë rrezik më të ulët nga vdekja, pavarësisht shkakut, sipas një studimi të ri të realizuar në Francë.
Studimi tregon se personat që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës mRNA kundër COVID-19 kanë pasur rrezik më të ulët vdekjeje nga të gjitha shkaqet, krahasuar me ata që nuk janë vaksinuar, ka raportuar EuroNews.
Gjetjet hedhin poshtë pretendimet për rreziqe afatgjata dhe tregojnë se vaksinat lidhen me ulje të vdekshmërisë gjatë një periudhe katërvjeçare, që nga kulmi i vaksinimit në vitin 2021.
Në Bashkimin Evropian, deri në muajin shkurt të vitit 2023 ishin administruar mbi 976 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Programet e vaksinimit kanë vazhduar edhe më pas, me dhjetëra milionë doza përforcuese çdo sezon.
Studimi ka përfshirë rreth 28 milionë të rritur francezë të moshës 18 deri në 59 vjeç. Rezultatet kanë treguar se personat e vaksinuar kishin 74 për qind rrezik më të ulët vdekjeje nga COVID-19 i manifestuar me simptoma të rënda dhe 25 për qind rrezik më të ulët vdekjeje nga të gjitha shkaqet.
Sipas studiuesve, kjo ulje e vdekshmërisë lidhet kryesisht me mbrojtjen e fortë ndaj formave të rënda të sëmundjes. Të rriturit e vaksinuar kishin shumë më pak gjasa të humbnin jetën si pasojë e infektimit me COVID-19. Ata sugjerojnë gjithashtu se një numër më i vogël komplikimesh nga COVID-i i zgjatur mund të ketë ndikuar në uljen e përgjithshme të vdekjeve.
Studimi u krye nga Epi-Phare, një grup shkencor nën mbikëqyrjen e Agjencisë Kombëtare Franceze për Barnat dhe Sigurinë e Produkteve Shëndetësore (ANSM) dhe Fondit Kombëtar të Sigurimit Shëndetësor. Studiuesit përfunduan se një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit mRNA dhe rritjes së vdekshmërisë afatgjatë tani duket shumë e pamundur.
Duke përdorur të dhëna nga Sistemi Kombëtar Francez i të Dhënave Shëndetësore, studimi përfshiu 22.7 milionë persona të vaksinuar mes majit dhe tetorit 2021 dhe 5.9 milionë persona të pavaksinuar deri më 1 nëntor 2021. Ata u ndoqën për një periudhë mesatare prej 45 muajsh.
Ky është studimi më i madh deri më sot që ka analizuar sigurinë afatgjatë të vaksinave mRNA kundër COVID-19 në popullatën e përgjithshme të të rriturve.
Pjesëmarrësit ishin deri në moshën 59 vjeç, që do të thotë se rezultatet nuk vlejnë drejtpërdrejt për grupmoshat më të vjetra, të cilat janë edhe më të rrezikuara nga COVID-19.
Gjatë katër vjetëve të hulumtimit, u regjistruan 98.429 vdekje nga të gjitha shkaqet (0.4 për qind) te personat e vaksinuar, krahasuar me 32.662 vdekje (0.6 për qind) te personat e pavaksinuar.
Autorët kanë raportuar se nuk është vërejtur rritje e vdekjeve nga kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, lëndimet aksidentale apo ndonjë shkak tjetër i madh.
Në çdo kategori, personat e vaksinuar kishin norma të barabarta ose më të ulëta vdekshmërie krahasuar me ata që nuk u vaksinuan.
