Njësia Speciale Intervenuese e Policisë sërish në protestë

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë sërish në protestë

Ky muaj ka nisur me protesta nga njësia më elitare e Policisë së Kosovës, e njohur si FIT dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim, të cilët më 01 nëntor protestuan para Qeverisë së Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kjo protestë u organizua nga FIT për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë të marrë muajin e kaluar.

Njësia Speciale Intervenuese pritet që edhe sot të protestojë para objektit të qeverisë me kërkesat e njëjta sikurse ato të 1 nëntorit që ndërlidhen me shtesat e rrezikshmërisë dhe të tjera.

Protesta sipas njoftimit do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:30.

Këto janë kërkesat e Policisë së Kosovës drejtë qeverisë:

1. Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve.

2. Rrezikshmeria të caktohet ne 50% te pages baze dhe shtesa per kushte specifike të punës.

Ndërsa sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.

Në fjalimin e njërit prej pjesëtarëve të këtyre njësive, është thënë se premtimet e Qeverive ndaj tyre nuk janë realizuar “qe mbi 10 vjet”.

“I dini kërcënimet dhe rreziqet që bartin këto dy njësi gjatë gjithë kohës. Mos luani me dinjitetin tonë. Mos luani me ndjenjat e familjeve tona”, ka thënë ai para mediave. Ai shtoi se shpreson që përfaqësuesit e këtyre njësive të takohen shpejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe që Qeveria të marrë për bazë kërkesat e tyre.

Pas FIT-it, protesta paralajmëruan Njësia Speciale Operative, njësi e cila protestoj të enjten, pra më 02 nëntor. Për dallim nga dy njësitë e tjera elitare që protestën e bënë para objektit të qeverisë, protesta nga Njësia Speciale Operative u mbajt brenda zyrave.

Mocionet e opozitës për minatorët grevistë dhe protestat e njësisë elitare të policisë nuk votohen nga pozita

Po në të njëjtën ditë pra më 02 nëntor opozita ka kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të votohen dy mocione, njëri për miratimin e kërkesave të minatorëve grevistë dhe tjetri për kërkesat e protestave të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Por, këto mocione nuk arritën të bëhen pjesë e rendit të ditës shkak se nuk pati vota ta mjaftueshme pro. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër, ndërkaq ata të opozitës pro.

Pjesëtarët e njësive elitare të policisë kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që t’i marrë seriozisht kërkesat e tyre për shtesat e rrezikshmërisë.

Kurti pas protestave nga NjSI: 203 policë të Kosovës sivjet patën të ardhura më të larta sesa presidentja Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas protestës së njësitit më elitar të Policisë së Kosovës në lidhje me shtesat e rrezikshmërisë.

Ai ka deklaruar se secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro, kurse të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet kanë shkuar mbi 2.200 euro në muaj.

“Paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro. Të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë”.

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka thënë Kurti.

Kurti ka krahasuar të ardhurat e policëve me Bruto Prodhimin Vendor për kokë banori që është 460 euro, kurse sipas Kurtit, 27% e policëve morën më shumë se 1.000 euro në muaj.

“Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”.

“Ju falemnderit pjesëtarëve të NjSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit”, ka përfunduar Kurti.

Sveçla: Mbështetja për Policinë e Kosovës nuk ka munguar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar se mbështetja për Policinë e Kosovës, nuk ka munguar.

Sipas tij të ardhurat e njësive speciale kanë arritur deri në 2 mijë e 200 euro gjatë këtij viti.

Protesta e policëve elitarë të PK-së para qeverisë: Abdixhiku: Trishtim, dëshpërim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur trishtuese dhe dëshpëruese protestën e sotshme të njësitet elitar të Policisë së Kosovës FIT.

Ai tha se heronjtë e vendit janë poshtruar nga Qeveria. “Trishtim. Dëshpërim. Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë.

Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar ai.

Memli Krasniqi: Kjo fotografi është e vërteta e turpshme e kësaj Qeverie të paaftë

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me protesën e Njësitit Special Intervenues dhe Njësist për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive para Qeverisë. Krasniqi ka thënë se këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë.

“E vërteta e kësaj Qeverie! Këtë fotografi nuk është dashur ta shohim kurrë! Posaçërisht, pas zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të vendit tonë. Njësiti Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, krenaria e shtetit tonë, detyrohen të protestojë para Qeverisë së vendit të vet, kundër injorimit dhe nënçmimit që po ju bëhet nga ta”, ka shkruar Krasniqi.

Kujtojmë se pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles