Shteti i Kenias sot gjatë ditës mori vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës.
Për lajmin njoftoi ish-presidenti Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook.
E kësaj njohje iu gëzuan krerët e shtetit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti pati fjalë falënderimi për presidenten Vjosa Osmani dhe për Pacollin.
Madje, në mbrëmje, kreu i qeverisë tha se bisedoi me presidentin e Kenias, William Ruto, të cilin tha se e ftoi për vizitë zyrtare në Kosovë.
“Sot është një ditë historike për Kosovën, pasi Kenia njohu zyrtarisht republikën tonë. Pata kënaqësinë të bisedoja me presidentin William Ruto pas kësaj të arriture historike. Ftuam njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe u pajtuam se hapi i radhës duhet të jetë vendosja e marrëdhënieve diplomatike”.
“Krenar dhe i nderuar me këtë të arritur, e ftova Kenian të hap ambasadë në Prishtinë. Dy vendet tona ndajnë histori me sakrifica të mëdha për liri dhe pavarësi”.
“Pres me padurim të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë në kulturë, tregti dhe investime”, u shpreh Kurti në X. /Gazeta Enigma