Drita ka mbajtur konferencën për media para ndeshjes së javës së 16-të në Superligë, ndaj Dukagjinit ku u paraqitën trajneri Ardian Nuhiu dhe futbollisti Arbnor Muja.
Nuhiu theksoi se kanë punuar me fokus te ndeshja e nesërme dhe të kthejnë mentalitetin fitues.
Na pret një përballje e vështirë, kemi rrespekt për kundërshtarin e nesërm sepse është treguar kockë e fortë që vështirë thyhen. Është një skuadër kompakte me futbollistë me përvojë, me kundërsulm të shpejtë dhe mbrojtje të mirë. Ne jemi përgatitur në aspektin psikologjik, duke lënë anash humbjen në ndeshjen e kaluar dhe jemi përqendruar në maksimum për t’u kthyer te suksesi. Kemi marrë të gjitha masat, jemi të vetëdijshëm që duhet të kthehemi, kam besim te grupi, ata do të bëjmë maksimumin sepse duhet të dëshmojmë që e kemi kualitet, por edhe mentalitet që lufton deri në fund’, ka thënë Nuhiu.
Nuhiu nder tjera tha se ka ekip me shumë potencial që mund të japin shumë.
‘Në ndeshjet derbi krijohen pak raste, ne kishim dy raste të pastërta derisa kundërshtari na ndëshkoi nga një gjysëm rast. Jemi të vetëdijshëm për dëshprimin e tifozëve, si ata edhe ne si staf dhe futbollistët dhe këto ditë kemi punuar të ngrisim moralin e ekipit. Ne mundohemi ta harrojmë, ne e dijmë që është një rrugë me pengesa dhe po në derbi një të tillë nuk arritëm ta kalojmë. Duhet theksuar se kemi një grup të ri dhe e kemi pritur se do të kemi luhatje. Skuadra jonë ka një të ardhme shumë të mirë, me futbollistë cilësorë, prandaj ky grup me kalimin e kohës do të vijë në shprehje shumë më mirë në fazën e dytë të kampionatit”, përfundoi Nuhiu.
Drita dhe Dukagjini do të përballen të hënën (nesër) në stadiumin e “Qytetit” në Gjilan nga ora 13:00.