Nuk ka fitues pas 90 minutave, ndeshja Vushtrria – Llapi shkon në vazhdime

Nuk ka fitues pas 90 minutave, ndeshja Vushtrria – Llapi shkon në vazhdime

Ka përfunduar me rezultat të barabartë 0-0 pas 90 minutave ndeshja e barazhit për inkuadrim në Superligë mes Vushtrrisë dhe Llapit.

Në pjesën e parë ishin vushtrriasit ata të cilët patën iniciativën, duke rrezikuar portën e Llapit në disa raste.

Rasti i parë për Vushtrrinë erdhi në minutën e 18-të, por goditja e tyre përfundoi jashtë portës.

Në minutën e 31-të Vushtrria pati një mundësi të mirë të realizonte pas një kundërsulmi, por mbrojtja e Llapit bllokoi një goditje të rrezikshme që po shkonte në drejtim të Marijan Coric.

Llapi u fut në pjesën e dytë me një fytyrë krejtësisht tjetër, duke krijuar disa raste të cilat shumë lehtë kanë mundur të përfundojnë në rrjetë.

Po luhej minuta e 60-të e takimit kur Elvir Gashijani bëri një super goditje e cila u prit me shumë vështirësi nga portieri Arlis Shala.

Të besuarit e Tahir Batatinës patën një tjetër rast të mirë shënimi në minutën e 68-të, kur pas ekzekutimit të një rivënie këndore, shtylla ishte aleat i Vushtrrisë.

Vushtrria doli në rast sërish në minutën e 69-të, por pas krosimit të Maxhunit, Hajdari nga afërsia nuk goditi siç duhet.

Në minutën e 90-të Arianit Hasani i Llapit ishte shumë afër golit, por Shala ia mohoi atë me një super pritje.

Mbetet të shihet nëse 30 minutat në vazhdim do të përcaktojnë fituesin, apo do të duhet të ekzekutohen penalltitë për t’u vendosur ekipi që do të luajë në Superligë edicionin e ardhshëm.

Related Articles