As për votimin e kryetarit dhe katër anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, nuk ka pasur kuorum në seancën e sotme plenare. Për këtë pikë të rendit të ditës kanë votuar vetëm 52 deputetë, ku pozita ka qenë kundër.
Qeveria dhe partia që ka shumicën në kuvend janë kritikuar nga opozita se të njëjtit nuk kanë shprehur qëndrim për listën e propozuar për anëtarët e bordit të OSHP-së.
Kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OSHP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7, Faruk Rexhaj 28, Adem Spahiu 26.3 dhe Ruzhdi Morina 26 pikë.
Opozita ka kritikuar ekzekutivin që nuk po mban qëndrim për këtë listë të propozuar.
Më pas, ministri i Financave Hekuran Murati tha se deputetët duhet të sigurohen që personat që përzgjidhen të kenë edhe kriterin e integritetit.
“Ju takon deputetëve që të përzgjedhin dhe të përcaktohet që kjo listë finale që ka kaluar në këta dy filtra, a i plotëson kushtet apo jo. Është shumë me rëndësi të thuhet që normalisht personat përveç kritereve objektive duhet të kenë edhe kriterin e integritetit. Duhet të sigurohemi që këta persona që votohen të kenë edhe integritetin e nevojshëm, për shkak se kemi pasur raste në të kaluarën kur janë marrë vendime të çuditshme nga ajo trup. Dhe arsyetimi ka qenë për palët që kanë hup rastin, që po ua kthejmë tarifën që e keni paguar meqenëse e keni një gjysmë të drejte, por ne po mendojmë që duhet shpërblyer kontrata dikujt tjetër”, ka thënë Murati.
Për këtë ka reaguar opozita, ku tha se ka një listë me vetëm pesë emra, ku nuk mund të zgjedhin se kë të votojnë.
“Unë mendoj zotëri Gashi që kjo përbërja e këtij komisioni dhe mënyra qysh kanë vendosur ata shumë më shumë i takon Parlamentit dhe Këshillit Gjyqësor edhe atyre tre gjyqtarëve, të cilët i kemi votuar në Kuvend. Këtë personin që e keni ju për kryetar, që do të hedhet në votim, e kanë vlerësuar gjyqtarët dhe jo Qeveria e Parlamenti”, tha Konjufca para deputetëve.
Por deputeti nga radhët e LDK-së Armend Zemaj tha se qeveria po tenton të ngritë dyshime për anulimin e këtij procesi.
“Vullneti i shumicës po dëshiron që këtë institucion që duhet të jetë i pavarur dhe i pa korruptuar. Ju këtë proces po e bëni me dyshime. Në momentin kur nuk deklarohet qeveria dhe komisioni, po ngrini dyshime qoftë në anulimin e këtij procesi, sepse nuk janë njerëzit e pëlqyeshëm për ju dhe në procesin e ardhshëm do të jenë njerëz të pëlqyeshëm për qeverinë dhe do të zgjidhen njerëzit që do t’i përgjigjen njerëzve apo klaneve të ndryshme”, ka deklaruar Zemaj.
Meqë në fillim të shqyrtimit të kësaj pike nuk ka pasur kërkesë nga ekzekutivi për të diskutuar për këtë pikë, deputeti i LDK-së Armend Zemaj theksoi se aferat korruptive po tentohen të kalojnë në heshtje. Sipas tij, është e paarsyeshme që për një vit mos të ketë bord të OSHP-së.
Me këtë nuk është pajtuar, shefja e shumicës së deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se është pasaktësi të kërkohet qëndrimi i qeverisë në këtë pikë, kur procesi është shtyrë sipas ligjit.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, theksoi se është me rëndësi që lidhur me këtë çështje të dilet me një qëndrim nga qeveria.
“Nga 31 marsi ky organ nuk funksionon, ose më mirë të them i ka skaduar mandati bordit të kaluar. Dhe ju e dini që këtu në këtë institucion kalojnë një mori e projekteve kapitale që ndoshta e kapin vlerën rreth 300 milionë euro. Pra, ne duhet të dimë opinionin ose qëndrimin e kësaj qeverisë. A duhet të votohet, apo të rrëzohet kjo përbërje apo ku qëndron qeveria në raport me këtë pikë”, ka shtuar Tahiri.
Ndërsa, shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri tha se është e domosdoshme që Kuvendi të vendosë për funksionalizimin e bordit të OSHP-së.
“Pozicioni i heshtur i qeverisë dhe pozicioni jo i saktë i grupit parlamentar të LVV-së hap shumë dilema në këtë temë dhe këtë dilemë duhet ta trajtojmë me proces të votimit, sepse nuk keni dëshirë dhe vullnet ta thoni përmes një deklarate nga qeveria apo nga GP, mendoj që duhet ta vendosim me votim”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se mos-funksionalizimi i këtij bordi pamundëson investimet kapitale në secilën kontratë nëse do të ketë ankesa.
Seanca po vijon me emërimin e anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës./KP