Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka komentuar deklaratën e famshme të tij të dhënë në ‘Pressing’ në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021’ës, “nuk provohet shteti o djem”, duke asociuar në zgjedhjen e Qeverisë Kurti.
Limaj të njëjtën deklaratë e ka komentuar në ‘Pressing’ në T7 pas situatës të tensionuar të krijuar në veri të Kosovës.
“Duhet të kemi kujdes se në duart të kujt është shteti, e si të trajtohet shteti. Njohja ndaj vetë shtetit, është diçka që fitohet ndalëgadalë. Përveç që jam munduar që të ngris vëmendjen, e kemi një shtet që nuk duhet të testohet çdo ditë. Nuk duhet të provohet çdo ditë. Parashikimet e mia pesimiste për vendin nuk ka qenë asnjëherë me u ndalë”, ka deklaruar kreu i Nismës.
Limaj ka folur edhe për dërgimin e Njësitit Special në veri nga institucionet e vendit, duke thënë se krerët institucionalë e kanë bërë “hapin e parë të fundit”.
“Kam përshtypjen se deri më tani nuk kemi patur një plan B. Një fjalë popullore në Kosovë është shumë e shpërndarë kur themi se fjala e fundit nuk thuhet e para. Edhe veprimin e fundit nuk duhet ta bësh të parin. Qeveria më duket e ka bërë këtë. Futja e reciprocitetit të targave është veprim i duhur pa asnjë dyshim. Por implementimi duhet të shkojë si në Dheun e Bardhë edhe në Merdarë”, ka deklaruar ai.