Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka në një intervistë ka thënë se gjatë këtij viti një pjesë e madhe e mjeteve të parapara për shpenzime kapitale janë zhvendosur në aspekte të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e pandemisë.
Madje, ai tha se fokusi kryesor i Qeverisë duhet të jetë mbështetja e kategorive të ndryshme sociale.
“Ajo çfarë mund të themi është si pasojë e pandemisë edhe gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti një pjesë e madhe e mjeteve të parapara për shpenzime kapitale janë zhvendosur në aspekte të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e pandemisë”.
“Jo vetëm nga perspektiva e kujdesit shëndetësor, por në të njëjtën kohë edhe ndarja e mjeteve të ndryshme financiare për përkrahje edhe të bizneseve. Ajo çfarë ka qenë fokus sidomos i qeverisë aktuale mbështetja e kategorive të ndryshme sociale”.
“Ne si Odë Ekonomike Amerikane vazhdimisht u bëjmë thirrje qeverive jo vetëm kësaj Qeverie, por edhe të tjerave që të kenë kujdes me shpenzimet për kategoritë sociale sepse nëse kjo vazhdon të ketë rritje në vitet në vijim atëherë mund të rrezikohet edhe stabiliteti buxhetor dhe të thellohet deficit buxhetor që mund të ndikojë në rritjen e tatimeve barrën e të cilave do ta bartin bizneset”.
“Është e pakuptimtë që të rriten shpenzimet për aspekte të cilat nuk ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik edhe barrën pastaj ta bartin vetë bizneset”, tha Zeka.
Sipas tij, nuk ka pasur shumë projekte kapitale të cilat janë paraparë në buxhetin e vitit 2022, duke shtuar se me këtë rast nuk mund të ketë fuqizim të sektorit privat edhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ndërsa, Zeka shtoi se rritja ekonomike përgjatë vitit 2021 ka ardhur nga sektori privat i nxitur nga konsumi.
“Nuk kemi parë shumë projekte kapitale të cilat janë paraparë në buxhetin e vitit 2022 përjashto një ose dy projekte të rëndësisë pak më strategjike të cilat janë paraparë nga ana e Qeverisë dhe për aq kohë sa nga këto projekte nuk përfitojnë bizneset atëherë natyrisht që nuk mund të flasim për një fuqizim të sektorit privat edhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”.
“Sa i përket rimëkëmbjes atëherë nëse e shohim edhe rritjen ekonomike përgjatë vitit 2021 sidomos përgjatë muajve të verës ose mesit të këtij viti rritja ka ardhur nga sektori privat i nxitur nga konsumi gjë që mund ta ndërlidhim me remitencat e diasporës”.
“Të njëjtën kohë duhet theksuar që deri në javët e para të këtij viti qytetarët kanë pasur mundësinë të tërheqin 10% të tyre personale. Po flasim për 200 milionë euro të cilat janë tërhequr në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti që një pjesë e madhe kanë përfunduar në aktivitete ekonomike”./Gazeta Enigma/