100% e votave janë numëruar nga votimi në Ambasadën e Kosovës në Londër – sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në këtë Ambasadë në dy vendvotime, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka grumbulluar gjithsej 734 vota nga të gjitha votat e numëruara, apo 87.69%.
Lidhja Demokratike e Kosovës i ka marrë 59 vota, Partia Demokratike e Kosovës 31 vota, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 vota, ndërsa Koalicioni për Familjen 2 vota.
Ndërsa, nga 1 votë e kanë marrë Nova Demokratska Stranka, Partia Liberale Egjiptiane, Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar dhe partia turke Yenilikçi Türk Hareket Partisi.
Gjithsej, prej rezultateve të përgjithshme nga votat e numëruara deri në orën 23:48, më 27.02.2025, deri më tani LVV-ja ka marrë 81.89% e votave, apo 3,305 vota.
Nga 20,324 votues, në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 persona, ndërkaq në votimin përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 69,000 pako me fletëvotime.
Kjo ka qenë hera e parë që mërgimtarët kanë pasur të drejtë që të votojnë për Zgjedhjet në Kosovë nëpër Konsullata dhe Ambasada – sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi pati bërë të ditur se në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Sipas rezultateve të tanishme nga Qendrat e Votimit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës – 25, Lidhja Demokratike e Kosovës – 20, koalicioni AAK-NISMA – 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.