Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish ka vendosur se janë përmbushur kushtet që Arben Zharku të shkarkohet nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Muaj më parë, komisioni disiplinor që është krijuar në kuadër të QKK-së, kishte marrë këtë vendim, bazuar në Ligjin për zyrtarë publikë, sipas të cilit është vlerësuar se Zharku ka kryer shkelje të rënda të detyrës.
Komisioni Disiplinor e ka bërë gati vendimin e radhës për shkarkimin e Arben Zharkut nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Për dallim nga vendimi i gushtit, tash ky komision ka vendosur pak më ndryshe. Ka nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”, por duhet një tjetër vendim i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, në mënyrë që ky vendim të ekzekutohet.
“Jam i gatshëm të marrë të gjithë hapat ligjorë për të kundërshtuar çfarëdo pretendimi ndaj meje”, ka thënë Zharku, për Kohën.
Komisioni Disiplinor kishte vlerësuar se Zharku ka kryer shkelje të rënda të detyrës.
“Në bazë të Ligjit Nr.06/L-114 për Zyrtarët Pubikë, Komisioni Disiplinor në bazë të gjeturave të listuara në arsyetim ka vendosur largimin nga Shërbimi Civil të Drejtorit të QKK-së, Arben Zharku”, thuhej në vendimin fillestar.
Sipas të gjeturave të komisionit, QKK-ja gjatë drejtimit të Zharkut ka hyrë në obligime kontraktuale, përkatësisht ka tejkaluar buxhetin e ndarë.
Zharku mban pozitën e udhëheqësit të QKK-së që nga viti 2014.
/Gazeta Enigma/