Organizata Botërore e Shëndetit tha se po monitoronte një variant të ri të koronavirusit të quajtur ‘Mu’, shkronja e 12’të e alfabetit grek.
‘Mu’ njihet shkencërisht si B.1.621 dhe është klasifikuar si një variant në vëzhgim, tha OBSH në raportin e saj javor të pandemisë të martën.
Varianti ka mutacione që tregojnë rrezikun e rezistencës ndaj vaksinave COVID-19, duke theksuar se kërkoheshin studime të mëtejshme për ta kuptuar atë më mirë.
Të gjitha viruset, përfshirë SARS-CoV-2, që e shkakton sëmundjen COVID-19, pësojnë ndryshime gjatë kalimit të kohës. Por disa mutacione mund ta bëjnë sëmundjen akoma më të rrezikshme duke sfiduar imunitetin e siguruar nga vaksinat dhe ilaçet.
Në gjithë botën ekziston një shqetësim për shfaqjen e varianteve të reja të koronavirusit, pasi numri i të infektuarve po shënon rritje për shkak të variantit Delta. Personat e pavaksinuar mbeten kategoria më e rriskuar përballë varianteve të reja virale.
Që nga zbulimi i tij, ‘Mu’ është raportuar në vendet e Amerikës së Jugut dhe në Evropë.