“Deri në gusht, varianti Delta do të dominojë në Evropë, ndërsa deri në atë moment nuk do të jetë arritur vaksinimi i plotë i qytetarëve”, u shpreh Hans Kluge.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se gjatë gushtit në Evropë do të përhapet varianti Delta i COVID-19, ndërsa deri në atë moment nuk do të arrihet që e gjithë popullata evropiane të vaksinohet, shkruan VOA.
Në Mbretërinë e Bashkuar, infektimet nga varianti Delta i virusit janë në rritje, pavarësisht vaksinimit masiv që po kryhet atje.
Varianti Delta i COVID-19 u identifikua fillimisht në Indi dhe është më lehtësisht i transmetueshëm se varianti fillestar i këtij virusi.Reklamë
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, në një konferencë për shtyp tha se javën e kaluar numri i rasteve me variantin Delta në Evropë është rritur me 10%, duke shtuar se varianti Delta tashmë po tejkalon variantet e tjera në rajon.
“Deri në gusht, varianti Delta do të dominojë në Evropë, ndërsa deri në atë moment nuk do të jetë arritur vaksinimi i plotë i qytetarëve”, u shpreh Hans Kluge.
Vaksina kundër COVID-19 është efektive ndaj variantit Delta atëherë kur merren të dyja dozat e saj, ndaj autoritetet inkurajojnë qytetarët që të marrin dozën e dytë vaksinës.
OBSH-ja ka paralajmëruar se vala e re e COVID-19 është e mundur të mbërrijë para vjeshtës dhe Hans Kluge tha se përhapja do të jetë e gjerë nëse qytetarët nuk disiplinohen për t’u vaksinuar. Ai listoi tri arsye pse vala e re e virusit mund të mbërrijë përpara vjeshtës.
“Tre shkaqet për një valë të re të shtrimeve në spital dhe vdekjeve para vjeshtës janë variantet të reja të virusit, mosmarrja e vaksinave dhe grumbullimet masive,” tha Hans Kluge të enjten.
Dr. Catherine Smallwood nga programi i urgjencave shëndetësore të OBSH-së, tha gjithashtu se vala e re me rritjen e infektimeve mund të mbërrijë përpara vjeshtës.