E ardhmja e Armando Brojës duket larg Chelseat dhe sipas gjitha gjasave sulmuesi shqiptar do të largohet nga Londra në afatin kalimtar të janarit.
Sulmuesi shqiptar javë më parë vazhdoi kontratën me Chelsean deri në verën e vitit 2028, por Milani po insiston për transferimin e tij.
Jo vetëm gjiganti italian, pasi Broja pëlqehet edhe nga skuadrat angleze si Everton, West Ham United, Southampton apo Aston Villa.
Së fundmi interesim për Brojën ka edhe nga La Liga, ku Sevilla po kërkon transferimin e tij.
Mediumi spanjoll Estadio Deportivo ka raportuar se Sevilla ka shprehur interesim për Brojën, ku drejtori sportiv Monchi e pëlqen jashtëzakonisht shumë shqiptarin dhe synon transferimin e tij në janar.
21-vjeçari ka kontratë afatgjate me Chelsean, por londinezët janë të hapur ta shesin nëse vije ndonjë ofertë mbi 35 milionë euro.
Gjithsesi duke parë zërat e shumtë për një transferim të tij, largimi i Brojës në janar nga Chelsea duket i pashmangshëm.
Sevilla njihet si një klub që u jep hapësira të shumta lojtarëve të rinj dhe mund të jetë një hap i madh për reprezentuesin shqiptar.
Broja këtë edicion ka zhvilluar 12 ndeshje me fanellën e Chelseat, ku në total ka 236 minuta të luajtura dhe vetëm një gol të shënuar.