Gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria teksa luftimet në këtë vend po vazhdojnë, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë i ndihmës në OKB, raportoi të dielën BBC-ja.
Carl Skau, zëvendësdrejtor i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, ka thënë se vetëm një pjesë e furnizimeve të nevojshme kanë mundur të hyjnë në Rrip – dhe nëntë nga 10 persona nuk mund të hanë çdo ditë.
“Kushtet në Gaza i kanë bërë dërgesat pothuajse të pamundura”, ka thënë Skau.
Izraeli thotë se duhet të vazhdojë sulmet ajrore në Gaza për të eliminuar Hamasin dhe për të sjellë pengjet izraelite në shtëpi.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, nënkoloneli Richard Hecht, ka thënë për BBC-në të shtunën se “çdo vdekje dhe dhimbje për një civil është e dhimbshme, por nuk kemi alternativë”.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të marrë sa më shumë që të jetë e mundur brenda Rripit të Gazës”, ka thënë ai.
Lëvizja brenda dhe jashtë Gazës ka qenë shumë e kufizuar që nga 7 tetori, kur luftëtarët e Hamasit depërtuan nëpër gardhin rrethues të Izraelit, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë peng 240.
Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se Izraeli ka vrarë më shumë se 17,700 Gazanë në fushatën e tij hakmarrëse, duke përfshirë më shumë se 7,000 fëmijë.