Opozita dhe OVL kërkojnë të ftohet ish gjyqtari i EULEX në seancë, kritikohet heshtja e Qeverisë

Opozita dhe OVL kërkojnë të ftohet ish gjyqtari i EULEX në seancë, kritikohet heshtja e Qeverisë

Më 3 qershor të këtij viti, kreu i Qeverisë së Kosovës, ka pranuar një dokument prej 25 faqesh nga ish gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons. Në këtë dokument të cilin e kishte siguruar Gazeta “EnigmaSimmons flet lidhur me dëshmitë e tij për skandalet e pretenduara nga ai që janë kryer nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Për mungesën e gatishmërisë së institucioneve të Kosovës për ta dërgjuar ish gjyqtarin e EULEX-it, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, tha për Gazetën “Enigma” se të martën në Komisionin për Legjislacion është vendosur që të harmonizohet agjenda me gjyqtarin Simmson, dhe në koordinim me administratën në Kuvend do të bëhet një dëgjim publik.

Beqa, theksoi se dëgjimi i raportimit të Simmson-it është në ineteres të publikut dhe të drejtësisë.

“Kjo çështje është në interes të publikut të deklaron gjyqtari në fjalë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e pasur parasysh rolin që ka pasur EULEX, për kohën të cilën bëhet fjalë ka pasur rol ekzekutiv dhe të njejtën kohë ka vendosur për të drejtat e qytetarëve të cilat janë edhe të mbrojtura me Kushtetutë. Unë mendoj se është në interes të drejtësisë dhe punën e EULEX-it”, tha Beqa për “Gazetën Enigma”.

Ndërsa, si i involvuar direkt në mbrojtjen e pjestarëve të UÇK-së dhe si avokat në rastin e njohur si “Kleçka” ndaj kryetarit të NISMA-së, Fatmir Limaj, avokati, Tomë Gashi, për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se procesi ishte ballafaquar me vendime të kundërligjshme.

“Njëri nga gjyqtarët e ka fut në panelin gjykyes të dashurën e cila ka qenë në ekipin e panelit gjyqësor në rastin ‘Drenica’, derisa ajo është zgjedhur krejtësisht në mënyrë të paligjshme në kundërshtim me regulloren e EULEX-it për zgjedhjen e gjyqtarëve”

Gashi, tutje tha se gjyqtatri Simmson e ka obligim ligjor që këto dokumente që i posedon t’i dërgoj në Gjykatën Speciale, ndërsa avokatët që i mbrojnë ish komandantët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe të tjerët e kanë për obligim që ta ftojnë si dëshmitarë, por nëse një gjë e tillë nuk ndodh që ta thërrasin në cilësinë e dëshmitarit në favorë të UÇK-së, sipas tij ata mund të mos jenë në nivelin e detyrave të tyre.

Ndërsa sa i përket se pse nuk po ftohet gjyqtari në fjalë të raportojë në Kuvend, Gashi tha se problemi është te Brukseli dhe BE-ja se a e lejon apo ua ndalon raportimin e tyre për këto parregullësi që kanë ndodhur në misionin e EULEX-it.

“Misioni i EULEX-it ka ardhur për t’i hetuar qeveritarët dhe jo vetëm për çështje të luftës, derisa këta nuk e kanë hetuar asnjë serb në raport me krimet serbe që kanë ndodhë në Kosovë. Prandaj, prej EULEX-it duhet të kërkohet përgjegjësi dhe rezultate”, tha Gashi.

Edhe kryetari në detyrë i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku tha për ‘Gazetën Enigma’ se është kërkuar raportimi i ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmson.

“Tash e disa muaj kemi kërkuar që ish gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmson, me raportu në Kuvend por nuk e di se pse nuk po ndodhë dhe kush po e pengon”, tha Klinaku.

Ndryshe, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas raportimeve të ish-kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, ku ka kërkuar nga institucionet kosovare që të mos heshtin karshi pretendimeve të ngritura.

Kujtojmë se për disa herë radhazi, ish gjyqtari Simmons ka kërkuar të raportoj në Kuvendin e Kosovës, për faktet që sipas tij ai i ka lidhur me keqpërdorimet e EULEX. Një kërkesë e tillë, nuk ka marrë përgjigje nga organet kompetente të Kosovës, të cilat nuk janë deklaruar për këtë çështje/Gazeta Enigma/.

Related Articles