Opozita kërkon nga Qeveria që të reflekton në raport me dialogun me Serbinë. Përfaqësues të partive theksojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet të jenë patjetër pjesë e këtij procesi.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se dialogu duhet të jetë njëra prej pikat kyçe të Qeverisë.
Madje, ajo tha se Qeveria Kurti duhet të tregohet e vëmendshme karshi kërkesave të qytetarëve, sepse dialogu është njëra prej temave më me peshë për Kosovën.
“Absolutisht duhet të jetë njëra prej pikave e cila do të diskutohet në vazhdimësi. Unë e kuptoj që gjendja e rënduar me pandeminë nuk do të mund ta lërë të papërfshirë Qeverinë edhe në raport me obligimet e tjera që ka, por kjo Qeveri duhet të tregohet e vëmendshme karshi kërkesave të qytetarëve të Kosovës e natyrisht njëra prej kërkesave dhe shqetësimeve që i ka do të jetë edhe çështja e dialogut dhe ne presim reflektim të zotëri Kurti në raport në njërën prej temave të rënda por gjithsesi me peshë për Kosovën”, shtoi Deliu-Kodra.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj gjithashtu ka thënë se nuk duhet të nis Kosova dialogun pa një plan konkret.
Tutje, ai tha se të gjitha marrëveshjet ku nuk ka qenë ndërmjetësuese ShBA-ja nuk janë implementuar.
“Sa i përket dialogut ne e kemi bërë të qartë që nuk guxojmë të rrëshqasim në dialogun që më së pari nuk e dimë për çka do të dialogojmë si do t’i qasen. Ne jemi opozitë dhe do të jemi monitorues të dialogut por ende nuk kemi marrë vendim që të jemi pjesë e dialogut”.
Deputeti Lekaj shtoi se do të jenë monitorues 24 orë të Qeverisë nëse nuk punon në interes të shtetit dhe qytetarëve.