Shkëndija e Tetovës vijon të jetë pa trajner që pas largimit të Artim Shaqirit. Në shtyp kanë qarkulluar emra të ndryshim, nga Qatim Osmani, Ernest Gjoka e deri te Shpëtim Duro (të gjithë e kanë drejtuar më parë Shkëndijën), por pasuesi i Shaqirit duket se do të jetë një emër surprizë. Jo për nga cilësitë dhe karrierë që ka si futbollist dhe trajner, por për faktin që është në detyrë dhe në stolin e një ekipi të madh.
Bëhet fjalë për trajnerin aktual të Tiranës, Orges Shehi, i cili këtë të enjte, sipas burimeve të SuperSportit, pritet të udhëtojë drejt Tetovës për të diskutuar detajet e kontratës që do ta lidhë me kuqezinjtë.
Ai është kontaktuar nga drejtuesit e Shkëndijës dhe e ka marrë ofertën, megjithatë ka ende për të biseduar që të hidhet e zeza mbi të bardhë.
Në fakt, tingëllon pa sens që trajneri i kampionëve në fuqi të largohet nga kryeqyteti, pasi ka kontratë me bardhebutë, por sigurisht që diçka e tillë do të ndodhë me “OK”-in e presidentit Halili. Nëse Shehi do të prishë kontratën me konsensus apo Shkëndija e Tirana do të kenë një marrëveshje ekonomike, kjo mbetet për t’u parë.