Zyra e Prokurimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka hapur një tender që ka të bëjë me avancimin e Gazetës Zyrtare. Por, kriteret që janë vendosur në thirrje janë favorizuese për një kompani të caktuar ose diskriminuese për një tjetër.
“Shërbime të zhvillimit, avancimit –ndryshimit dhe mirëmbajtjes së web faqes së Gazetës Zyrtare”. Kështu quhet thirrja që është publikuar me 31 Maj nga Zyra e Kryeministrit.
Vlera e parashikuar e kontratës është 80 mijë euro.
Menjëherë pasi është hapur kjo thirrje, në zyrën e kryeministrit sqarime shtesë ka kërkuar kompania “Komtel Project Enginering”. E pa kënaqur me sqarimet, kjo kompani ka parashtruar ankesë në prokurimin e kryeministrisë duke konsideruar që është shkelur Ligji i Prokurimit Publik në kriteret e vendosura për këtë tender. Konkretisht ka konsideruar që janë vendosur disa kritere që diskriminojnë kompani të caktuara dhe favorizojnë një apo të tjera, dhe është kërkuar që ato të ndryshohen. Të gjitha pretendimet e kësaj kompanie prokurimi komunal i ka hedhur poshtë si të pa bazuara.
Më pas kompania ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke konsideruar se janë shkelur një sërë nenesh të LPP-së në vendosjen e kritereve për këtë procedurë.
OSHP-ja me datë 5 korrik e ka autorizuar ekspertin e saj, Ermal Shala për të shoshitur pretendimet e kompanisë ankuese dhe më datë 15 e ka përfunduar raportin në rekomandimin e të cilit shkruan se ‘Duke u bazuar në sqarimet dhe të gjeturat në këtë ekspertizë, eksperti shqyrtues teknik propozon Panelit Shqyrtues që ankesa e kompanisë ankuese të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të obligohet Zyra e kryeministrit t’i largojë dhe ndryshoj kriteret të cilat janë diskriminuese sipas pretendimeve të kompanisë ankuese” .
Por, cilat ishin kriteret në kundërshtim më ligjin që i vendosi Zyra e kryeministrit?
Eksperti teknik i OSHP-së ka konsideruar se me kërkesat profesionale /teknike të shpallura në dosjen e tenderit, prokurimi ka shkelur paragrafin 2 të nenit 28 Specifikimet Teknike sepse ka kërkuar certifikim specifik (PMP) që duhet të ketë menaxheri i projekteve, ndërkohë që ekzistojnë edhe certifikime tjera të barasvlershme dhe të zbatueshme për tenderin në fjalë, siç janë PMP, SCRUM, PRINCE 2, Project Manager Accredited Certification, CompTia Project, apo certifikime tjera ekuivalente, të cilat mund të vendosen sipas LPP-së.