Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania, foli rreth dialogut Kosovë-Serbi ku theksoi se Kosova ka qenë gjithnjë pala konstruktive në bisedime.
“Kosova gjithnjë ka qenë pala që ka dhënë kontribut për zgjidhje që kanë kontribuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në fakt ka bërë jashtëzakonisht shumë koncesione që nga koha e negociatave për statusin e Kosovës e deri te dialogu i Brukselit”, u shpreh Osmani.
Osmani shtoi se Serbia edhe kur ka bërë ndonjë koncesion nuk i ka zbatuar marrëveshjet dhe sot janë në një situatë ku mbi dy të tretat e marrëveshjeve nuk zbatohen nga Serbia.
“Në veçanti do të doja të përmendja faktin se edhe pse në vitin 2013 Serbia ka nënshkruar që të heqë dorë nga mbështetja e të gjitha strukturave ilegale, kriminale në veri të vendit e gjetiu në fakt tani i mbështet më shumë se kurrë edhe politikisht, edhe financiarisht, por për fat të keq edhe duke u dërguar armë nëpërmjet të cilave këto struktura të shndërruara në banda kriminale po shkatërrojnë synimet tona dhe po i rrezikojnë synimet e përbashkëta që kemi me Bashkimin Evropian”, deklaroi ajo.