Osmani: Kemi hapur dyert dhe zemrat tona për refugjatët afganë

Osmani: Kemi hapur dyert dhe zemrat tona për refugjatët afganë

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është krenare që po iu qëndron pranë partnerëve në strehimin e qytetarëve që kanë ikur nga Afganistani.

Në një konferencë për media pas arritjes së grupit të parë prej 111 afganëve në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, tha se vendi ynë tregoi që ka hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona sepse dikur qytetarët e Kosovës ishin viktima të një pushteti gjenocidal.

“Ne sot para të gjithë atyre treguam që i kemi hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona sepse si njerëz që qenë viktima të një pushteti gjenocidal. E kuptojmë shumë mire se çka do te thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote, andaj jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë për një përpjekje të te gjithë këtyre partnerëve nga Shtetet e Bashkuara deri te shteti i fundit i NATO-s, në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe që ata që vijnë këtu në Kosovë te ndjehen që më në fund janë të sigurt”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj, në deklaratën ku sigurohet se të gjithë qytetarët e huaj dhe afganët që kanë punuar me entitetet e huaja, do të mund të largohen nga Afganistani.

Kosova po pret që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë.

Ata pritet të strehohen në bazën ushtarake “Bondsteel” që gjendet në Ferizaj.

Related Articles