Presidentja Vjosa Osmani deklaroi sot se Kosova duhet të mësojë nga modeli i Estonisë në shumë sfera, e posaçërisht në atë të fushës së teknologjisë informative.
Ajo gjatë takimit me kryeministren e Estonisë Kaja Kallas ka thënë se bashkëpunimi me këtë shtet duhet të shtrihet edhe në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, arsimit, turizmit dhe shkëmbimit kulturor.
Të dy bashkëbisedueset i kanë vlerësuar raportet ndërshtetërore të mira dhe kanë shfaqur përkushtimin për avancimin e tyre.
Osmani ka përmendur mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, duke përfshirë edhe procese të tjera nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ajo ka shfaqur bindjen se Estonia do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe anëtarësimin në strukturat veri-atlantike.
Ndryshe, presidentja Osmani ndodhet për vizitë zyrtare në Estoni, ku sot gjatë ditës është pritur edhe nga kryetari i Parlamentit të këtij vendi, Juri Ratas.