Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, i ka dërguar një letër urimi Papës Françesku, duke i dëshiruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
“Shenjtëria Juaj, në emër të popullit të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju bëj urimet më të përzemërta për shërimin tuaj të shpejtë e të plotë. Shenjtëria Juaj, pasi u njoftuam për ndërhyrjen tuaj kirurgjikale në spitalin Gemelli, në emër të popullit të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju bëj urimet më të përzemërta për shërimin tuaj të shpejtë e të plotë. Edhe një herë, mësojmë nga Shenjtëria juaj si të sillemi para problemeve dhe vuajtjeve. Lutemi me ju e për ju që të ktheheni sa më shpejt në detyrën tuaj të bekuar për të mirën dhe paqen kudo në botë”, thuhet në letrën e presidentes Osmani.
Së fundi, presidentja e Kosovës e siguron Atin e Shenjtë për konsideratën e saj më të lartë, duke i përsëritur urimet më të mira për shërim të shpejtë.
Menjëherë pas shtrimit të Papës në spitalin Gemelli të Romës, nga të gjitha anët e botës, filluan mesazhet për shërim të shpejtë.
Edhe nga trojet shqiptare, si nga ipeshkvijtë, ashtu edhe nga autoritetet shtetërore, erdhën në Vatikan urimet që Ati i Shenjtë ta marrë veten e të kthehet në krye të Kishës universale.
Shqiptarët u bashkuan me besimtarët e krejt globit në lutje për Françeskun.