Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani iu ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.
Osmani potencoi se Kabashi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë kinematografike.
“Ai kombinoi për mrekulli karizmin, mjeshtërinë dhe përkushtimin, duke prekur thelbin e emocioneve njerëzore me një finesë të pashembullt dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë kinematografike”, ka thënë Osmani.
“Secila paraqitje e tij ishte mishërim i angazhimit pasionant dhe të palëkundur ndaj artit. Ai ishte zëri artistik edhe i Kosovës me vargjet kushtuar sakrificës dhe luftës për liri e pavarësi”.
“Trashëgimia nga magjia skenike e paraqitjeve të tij do të jetë kujtesë e jona e përhershme! Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor! I përhershëm qoftë kujtimi për Mirush Kabashin”, shkroi presidentja Vjosa Osmani.