Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Kosova dhe populli ende i ka të freskëta kujtimet e luftës, derisa këtë e krahasoi edhe me luftën që po bëhet në Ukrainë.
Duke folur për gratë, Osmani tha se kur përjashtohet gjysma e njerëzimit nga gjenerimi i ideve dhe vendimeve, humbet rasti për një shoqëri dhe demokraci me potencial transformues.
“Kosova dhe populli ynë i ka ende të freskëta kujtimet e luftës dhe sot zemrat tona rrahin fort përballë ekraneve televizive e telefonave gjersa shohim imazhet që vinë nga qytete e vende të ndryshme të Ukrainës”, deklaroi ajo në Javën e Gruas.
Sipas Osmanit, statusi i gruas në shoqëri e tregon statusin e demokracinë, duke cituar zëvendëspresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.
“Java e gruas është një prej aktiviteteve që më ka përvjellur për një pjesë të madhe të karrierës sime. Demokracia kurrë nuk është projekt i përfunduar. Demokracia është niveli më i lartë i organizimit të mirëfillta, të barabarta sociale dhe politike. Vetëm një demokraci gjithëpërfshirëse është realisht një demokraci e qëndrueshme e që t’ia dalësh në këtë drejtim është të besosh”, tha Osmani./Gazeta Enigma/