Osmani për takimin me Varadkar: Vendet tona janë gati për të vazhduar ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera

Osmani për takimin me Varadkar: Vendet tona janë gati për të vazhduar ndërtimin e marrëdhënieve të shkëlqyera

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar pamje nga takimi me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Osmani ka thënë se kryeministrin irlandez e ka falënderuar për miqësinë dhe mbështetjen e qëndrueshme të Irlandës për Kosovën.

“Kjo vizitë riafirmoi gatishmërinë e të dy vendeve tona për të vazhduar ndërtimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera dhe për të eksploruar mënyra të reja për bashkëpunim më të forte”, shkroi ajo.

Në pamjet e publikuara shihet se presidentja i ka rrëfyer kryeministrit Varadkar edhe për deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Varadkar ka arritur në Kosovë të mërkurën mbrëma ku u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti zhvilloi sot takim me Varadkar të cilin e priti me ceremoni shtetërore e më pas të dy bashkë mbajtën edhe një konferencë për media.

Related Articles