Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet në sistemin financiar dhe progresin e arritur në këtë fushë.
Vëmendje iu kushtua masave të ndërmarra në mbështetje të ekonomisë së vendit gjatë periudhës së pandemisë.
Në takim u theksua rëndësia e stabilitetit financiar për zhvillimin dhe stabilitetin e ekonomisë së vendit, duke vlerësuar lart masat mbështetëse gjatë periudhës së krizës pandemike.
Gjithashtu u potencua rëndësia e ofrimit të shërbimeve cilësore me kushte të favorshme për qytetarët nga ana e sistemit financiar dhe njëherësh u ofrua përkrahje për institucionet e pavarura, që të veprojnë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.