Ish-presidentja Vjosa Osmani ka përgëzuar miratimin në Kuvendin e Kosovës për dërgimin e FSK-së në Gaza.
Osmani e quajti këtë hap si vazhdim të përkushtimit të Kosovës për paqe.
“Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës dëshmoi unitet shtetëror duke votuar me 89 vota pro për një vendim të rëndësishëm dhe historik: angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza”, ka shkruar Osmani në Facebook.
“Ky hap është vazhdim i përkushtimit tonë për paqe, siguri dhe përgjegjësi globale, në përputhje me zotimin që kam nënshkruar më 19 shkurt me Presidentin Trump dhe me partnerët e tjerë. Sot, FSK-ja qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë, duke dëshmuar se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësi të barabarta në mbrojtje të paqes”.
Osmani bëri thirrje që njashtu të ratifikohet marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
“Ky angazhim është një dëshmi e qartë e kapacitetit tonë shtetëror që forcon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit tonë dhe rritë besueshmërinë e Kosovës si partner i denjë në skenën globale. Njëkohësisht, ky angazhim i ngrit kapacitetet profesionale të FSK-së dhe e afron vendin tonë më afër se kurrë me synimin strategjik për anëtarësim në NATO”.
“Në këtë frymë uniteti dhe përgjegjësie, u bëj thirrje të gjithëve që, me urgjencë dhe në mënyrë unanime, të ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si një mekanizëm i domosdoshëm politik për koordinimin e këtij misioni ushtarak, i cili po ashtu forcon sigurinë shtetërore dhe orientimin euroatlantik, garanton sovranitetin, siguron përfaqësim të barabartë dhe krijon mundësi për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e njohjeve të reja”.
“Kosova është e vendosur të kontribuojë për paqen me dinjitet, profesionalizëm dhe përkushtim, gjithmonë përkrah aleatëve tanë dhe me FSK-në tonë në shërbim të qytetarëve dhe të paqes globale. Falënderim i veçantë dhe mirënjohje të përhershme ndaj Amerikës për përfshirjen e Kosovës dhe për besimin!”
