Paçarizi: Grupi prej 700 personash i Radoiçiqit është larguar nga Kosova

Paçarizi: Grupi prej 700 personash i Radoiçiqit është larguar nga Kosova

Profesori Rrahman Paçarizi ka komentuar në lidhje me sulmet që po ndodhin në veri të vendit viteve të fundit.

Në Rubikon të Klan Kosovës, ai tha se kryeministri Albin Kurti po e ngatërron çështjen e organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” me terroristin Millan Radoiçiq.

“Mund të merremi me deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili po e ngatërron çështjen e ‘Mbrojtjes Civile’, duke e ndërlidhur direkt me Radoiçiqin. Kosova është duke i dhënë merita Radoiçiqit, nga perspektiva serbe, që realisht nuk i ka krejt. Ai është një bandit i lidhur me shtetin e Serbisë, i financuar nga shteti serb, e ka kryer një aksion të caktuar dhe është goxha i izoluar në Serbi, por edhe është duke kryer trajnime në Serbi. Grupi i tij, rreth 700 veta, i kanë ikur nga Kosova, dhe kjo është informatë e saktë. A janë duke u trajnuar në Serbi a jo, nuk e di. Por, ‘Mbrojtja Civile’ është diçka tjetër që lidhet direkt me shtetin e Serbisë, e jo me një bandit, profiter, që është mafioz, që ka milici të veten. E ‘Mbrojtja Civile’ që funksionon në Kosovë, është pjesë e MPB-së së Serbisë. Nëse ‘Mbrojtja Civile’ është e përzier në cilindo aksion, në çfarëdolloj veprimi diversiv, subversiv, terrorist në Kosovë, i bie që shteti i Serbisë është i përfshirë në mënyrë direkte. Nëse nuk e kuptojnë këtë pjesë, do të gabojnë gjithmonë në deklarata”, deklaroi profesori Paçarizi.

Ai tha po ashtu se për sulmin në “Ibër-Lepenc” nuk dihet ende asgjë pasi që ende nuk kanë përfunduar hetimet, ndonëse potencoi se si kryeministri Albin Kurti, ashtu edhe presidentja Vjosa Osmani, sonte dhanë deklarata të ngjashme, “duke e drejtuar gishtin nga Serbia, mbështetur nga të dhënat që i kanë marrë nga inteligjenca”. 

Related Articles