Të paktën 19 të vdekur, përfshirë 9 fëmijë, është bilanci dramatik i një zjarri të madh që ka rënë në një ndërtesë në lagjen e njohur “Bronx” në Nju Jork Siti, SHBA.
Zjarri ka rënë në një pallat banimi 19-katësh dhe mediat amerikane raportojnë se kanë ndërhyrë rreth 200 zjarrfikës, të cilët kanë arritur ta shuajnë. Ndërkohë që dhjetëra njerëz mbetën të asfiksuar nga tymi i dendur.
Të paktën 63 janë personat e plagosur, nga të cilët 32 të shtruar në spital me djegie të shkallëve të ndryshme dhe simptoma asfiksie tymi. Për kreun e zjarrfikësve, Daniel Nigro, është “një nga zjarret më të rënda në historinë e fundit të qytetit”.
Nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit. Flakët knë nisur rreth orës 11 të mëngjesit me orën lokale nga një apartament dykatësh midis katit të dytë dhe të tretë. Në pallat ka pasur shumë familje, duke qenë e diel.
Dyert e shtëpisë në të cilën u përhapën flakët, mbetën të hapura, ndaj zjarri u përhap me shpejtësi në pjesën tjetër të ndërtesës 19-katëshe e cila ndodhej ngjitur.
Në çdo kat të godinës, thonë autoritetet njujorkeze, janë gjetur viktima kudo, të ulur, në korridore, në shkallë. Të gjithë banorë që dëshpërimisht po përpiqeshin të largoheshin.
Shumë prej tyre kanë vdekur nga arresti kardiak për shkak të tymit të fortë dhe mungesës së oksigjenit. Shumë njerëz u shpëtuan falë shkallëve të kamionit zjarrfikës.
Tani hetuesit do të duhet të kontrollojnë nëse diçka ka shkuar keq në sistemet e sigurisë dhe alarmit në kompleksin e apartamenteve.
Në lagjen “Bronx”, në vitin 1990, një zjarr i tmerrshëm shpërtheu në “Happy LAND”, një klub nate në të cilin u vranë 87 persona.
Në atë moment u konstatua se lokali funksiononte në mënyrë të paligjshme dhe brenda tij nuk kishte asnjë fikëse kundër zjarrit./Gazeta Enigma/