Pamje si në filmat apokaliptik nga zjarret në Kroaci, digjen shtëpi e vetura – mijëra të evakuuar

Pamje si në filmat apokaliptik nga zjarret në Kroaci, digjen shtëpi e vetura – mijëra të evakuuar

Një zjarr i madh që shpërtheu mbrëmë në Lokva Rogoznicë të Kroacisë u përhap gjatë natës drejt Omishit dhe përfshiu zonat mbi vetë qytetin, ndërsa flakët arritën pranë qendrës së qytetit.

Zjarri rrezikoi shumë shtëpi dhe objekte, ndërsa një pjesë e banorëve dhe turistëve u evakuuan. Nga terreni vijnë pamje të dëmeve të mëdha materiale, automjeteve dhe objekteve të djegura.

Qendra Klinike-Spitalore e Splitit njoftoi se ka pranuar 36 persona dhe se 19 pacientë janë shtruar në spital, prej të cilëve shtatë janë vendosur në njësinë e kujdesit intensiv dhe janë në rrezik për jetën.

Tre pacientë të tjerë janë vendosur në kujdesin intensiv, ndërsa të tjerët janë shtruar në repartet e spitalit.

Te shumica e pacientëve të trajtuar bëhet fjalë për djegie, ndërsa të tjerët kanë kërkuar ndihmë mjekësore kryesisht për shkak të problemeve me frymëmarrjen të shkaktuara nga ekspozimi ndaj tymit.

Klinika Klinike-Spitalore e Splitit ka angazhuar menjëherë të gjitha ekipet në dispozicion për të siguruar trajtimin në kohë të të lënduarve. Për shkak të fluksit të shtuar të pacientëve, janë thirrur edhe punonjësit që ndodheshin me pushime vjetore.

Të evakuuarit do të qëndrojnë në qendrën e pritjes derisa të rivendoset qarkullimi dhe derisa vatrat e zjarrit të sanohen dhe të vihen nën kontroll.

Për shkak të zjarrit të madh janë mbyllur autostrada e Adriatikut dhe rruga e anashkalimit, ndërsa drejtuesve të automjeteve u këshillohet të përdorin rrugë alternative.

Komandanti kryesor i zjarrfikësve, Slavko Tucakoviq, deklaroi  se nga zjarri janë djegur disa shtëpi, si dhe një numër i madh automjetesh dhe varkash, për çka dëmet materiale do të jenë të mëdha.

Tucakoviq deklaroi se ky është një nga zjarret më të rënda në historinë e Kroacisë.

Ai tha gjithashtu se janë djegur mes 900 dhe 1,000 hektarë sipërfaqe, ndërsa janë evakuuar rreth një mijë persona. Dëmet ende duhet të vlerësohen.

Nga zjarri janë përfshirë bari, bimësia e ulët dhe pylli me pisha në një sipërfaqe që ende nuk është përcaktuar. Zjarri shpërtheu në afërsi të drejtpërdrejtë të objekteve dhe u përhap me ndihmën e erërave të forta.

Related Articles