Në Shqipëri, gjatë pandemisë, incidenca e abuzimit fizik ose verbal nga bashkëshorti ose partneri është rritur me 79 për qind të grave ose vajzave.
Publikimi më i fundit i Kombeve të Bashkuara, “Matja e Pandemisë në Hije: Dhuna kundër grave gjatë COVID-19” nxori në pah se dhuna ndaj grave dhe vajzave është intensifikuar që nga shpërthimi i COVID-19.
“UN Women” bashkëpunoi me zyrat kombëtare të statistikave, subjektet qeveritare dhe partnerët ndërkombëtarë për të përpunuar Sondazhet e Vlerësimit të Shpejtë Gjinor (RGAs).
Këto sondazhe u përqendruan mbi ndikimet socio-ekonomike të COVID-19 në 58 shtete.
ëto RGA u fokusuan kryesisht në ndikimet gjinore mbi punësimin, të ardhurat, kujdesin e papaguar dhe atë të brendshëm, qasjen në mallra, shërbime dhe ndihmën sociale.
RGA-të u zbatuan në Shqipëri, Bangladesh, Kamerun, Kolumbi, Bregun e Fildishtë, Jordani, Kenia, Kirgistan, Marok, Nigeri, Paraguai, Tajlandë dhe Ukrainë.
Shifrat e Shqipërisë
29 për qind e grave ose vajzave shqiptare raportuan se ato ose një grua që njohin, kanë përjetuar një formë të dhunës gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2021.
Sakaq, 53 për qind e grave apo vajzave shqiptare raportuan se kanë përjetuar ndonjëherë një formë të dhunës ose kanë njohur një rast të afërt.
Më tej, raporti zbulon se 16 për qind e grave apo vajzave shqiptare ndihen më pak të sigurta në shtëpi pas COVID-19.
Shqipëria kryeson renditjen e grave që kanë raportuar për shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike në shtëpi me 34 për qind.
Nga këto, 29 për qind janë lënduar nga të rriturit e tjerë në familje dhe 38 për qind janë raportimet e lëndimeve të grave të tjera në familje.
COVID-19 e ka përkeqësuar më shumë konfliktin mes të rriturve në familjet shqiptare për 23 për qind të tyre.
Në Shqipëri, 22 për qind e grave raportuan se COVID-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta gjatë lëvizjeve në orët e mbrëmjes.
29 për qind e grave shqiptare mendojnë se dhuna me bazë gjinore në komunitet është rritur gjatë vitit pandemik.
Ndërkaq, 57 për qind e grave apo vajzave shqiptare mendojnë se ngacmimi seksual është rritur gjatë pandemisë.
Terma të përgjithshëm
Studimi i KB-ve zbulon se 45 për qind e grave raportuan se ato ose një grua që njihnin, kishte përjetuar dhunë nga fillimi i COVID-19.
Prej tyre, 65 për qind dëshmuan se e kishin përjetuar dhunën gjatë gjithë jetës së tyre.
Një fakt tronditës është se katër në dhjetë gra ndihen të pasigurta në hapësira publike.
¼-ta e grave të pyetura treguan se konfliktet janë bërë më të shpeshta dhe se ndihen të pasigurta në shtëpitë e tyre.
Gjatë përditshmërisë, një në pesë gra ndihen të pasigurta, teksa shëtisin gjatë ditës.
Sa u takon orëve të mbrëmjes, një në dy gra ndihen të pasigurta për të lëvizur.
Shtatë në dhjetë gra pohojnë se abuzimi fizik ose verbal nga partneri i tyre është bërë më i zakonshëm.
Ngacmimet seksuale në publik janë përkeqësuar për gjashtë në dhjetë gra.
Grupet e cenueshme
Nga komunitetet tre në dhjetë gra raportojnë se dhuna ndaj tyre është rritur.
Raporti zbulon, ndër të tjera, se 56 për qind e të anketuarve ndihen më pak të sigurta në shtëpitë e tyre që nga fillimi i pandemisë.
Zbërthimi i mëtejshëm i të dhënave tregon se disa grupe janë veçanërisht të cenueshme.
Gratë më të reja të moshës 18-49 vjeç janë grupi më vulnerabël, me gati një në dy që raportojnë për një formë të dhunës.
Raportimet e dhunës dallojnë mes grave që janë të punësuara dhe të papunësuara.
Anketimet tregojnë se 52 për qind e grave shtëpiake raportojnë përvoja dhune në krahasim me 43 për qind të grave të punësuara.
Mes tyre rakordohen shifra të ndryshme edhe sa i takon sigurisë më të ulët në shtëpi, ku 33 për qind janë gra shtëpiake dhe vetëm 26 për qind të punësuara.
Përkeqësimi i ngacmimeve seksuale është raportuar te 62 për qind e grave që jetojnë në zona rurale.
Treguesit e dhunës
Sipas vlerësimeve të fundit të KB-ve, 245 milionë gra dhe vajza në rang global të moshës 15 vjeç e lart kanë pasur ose i janë nënshtruar dhunës seksuale ose fizike nga një partner në 12 muajt e fundit.
Ekspozimi ishte më i lartë te gratë në Kenia (80%), Marok (69%), Jordani (49%) dhe Nigeri (48%).
Gratë në Paraguai kishin më pak të ngjarë të raportonin përvoja të tilla (vetëm 25 për qind).
Abuzimi verbal dhe mohimi i burimeve bazë ishin format më të shpeshta të raportuara të dhunës (23 për qind).
Ndërsa 21 për qind e të anketuarve raportuan mohim të komunikimit.
Këto shifra përputhen edhe me masat e marra për të kufizuar përhapjen e pandemisë, të tilla si: bllokadat, shtetrrethimet apo distancimi fizik.
Në mënyrë të ngjashme, 16 për qind e tyre raportuan ngacmim seksual dhe 15 për qind abuzim fizik. /Gazeta Enigma/