Paqartësi në KF Dardan

Paqartësi në KF Dardan

Nënkryetari i Dardanës, Faton Jakupi, ka thënë se gjithçka është e jashtëligjshme, pasi nuk është mbajtur kuvendi për privatizim e klubit.

Klubi Futbollistik “Vushtrria” me 2 gusht të vitit 2021 ka njoftuar se edhe zyrtarisht do të garoj nga sezoni i ardhshëm në Ligën e Parë të futbollit kosovar.

Ish-kampionët e Kosovës e përfunduan në vendin e fundit në sezonin e kaluar, kurse tashmë janë fuzionuar me klubin KF Dardana. Vendimi i këtij fuzionimi është bërë edhe me miratimin e Federatës të Futbollit të Kosovës.

Sipas, anëtarëve të kryesisë së KF Dardanës, ky vendim është i jashtëligjshëm dhe që nuk janë udhëhequr të gjitha procedurat ligjore për ta bërë klubin nga OJQ (Organizate Joqeveritare)  në SHPK (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar).

Nënkryetari i komunës së Dardanës dhe njëkohësisht edhe anëtari i KF Dardana, Faton Jakupi, është prononcuar rreth kësaj çështje për redaksinë tonë.

Dje kemi pasur një takim dhe ne vlerësojmë se nuk janë udhëhequr të gjitha procedurat ligjore për ta bërë klubin nga OJQ ne SHPK dhe gjithçka është e jashtëligjshme. Gabimi është bërë nga OJQ në privitazim. Kanë qenë disa nënshkrime në vitin 2019, por që kanë pushuar për dy vite. Pra, nuk është mbajtur kuvendi, nuk është njoftuar komuna për analizat financiare që duhet me i mbajtur auditori i brendshëm”, ka thënë Faton Jakupi.

Sipas rregullores të garave në futbollin kosovar, më saktësisht ‘Neni 61’ thotë se fuzionomi i klubeve bëhet në Kuvendin e përbashkët të klubeve të interesuara të cilat më parë në kuvendet e tyre veç e veç janë deklaruar për fuzionim.

Me 7 gusht të vitit 2021, klubi i Dardanës ka mbajtur mbledhjen ku është diskutuar rreth gjendjes së krijuar në klubin e qytetit për veprimet e bëra.

Sipas tyre, asnjëherë të vetme kuvendi i klubit si Organizatë Joqeveritare, nuk ka diskutuar apo marrë vendim në kryesi për ndërrimin e statusit të klubit e më së paku shitjen e tij. Dardana i është drejtuar me kërkesë FFK-së që ta stopoj ose anuloj vendimin ku FFK e ka lejuar “fuzionimin e tillë”.

Related Articles