Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHT) ka mbajtur takim konsultativ me të gjithë pronarët e restoranteve dhe anëtarët e tjerë të këtij sektori.
Drejtori i OHT-së, Visar Demolli, ka njoftuar se janë dakorduar t’i drejtohen me shkresë zyrtare institucioneve në lidhje me masat e reja dhe për lejimin e punës së sallave të dasmave.
“Patëm takimin mbrëmë dhe kemi rënë në dakordim që nga Oda të dërgojmë një e-mail zyrtare dhe deri në ditën e premte të kemi edhe ne një konfirmim për sallat e dasmave për fillimin e punës”.
Ai thotë se në rast që deri ditën e premte nuk realizohen kërkesat e tyre, atëherë do të dalin me një protestë masive.
“Nuk e di ku qëndron problemi pse ata me bë një gjë të tillë dhe ne mos të punojmë. Në rast që nuk ka diçka pozitive ne kemi rënë në dakordim e kemi themeluar edhe këshillin iniciues që të organizojmë një protestë masovike”.
Demolli tha se dëmet janë të mëdha sepse nuk flitet vetëm për një departament, por mbi 34 sosh, ku dëmet sipas tij, janë të jashtëzakonshme.
“Këtu nuk flitet vetëm për dasmat sepse këngëtarët janë bërë target vetëm për bakshishe, këtu janë mbi 34 departamente që janë të varur prej dasmave, është sektor i gjerë me punëtorët e prodhuesit vendor dhe dëmi është i jashtëzakonshëm”, theksoi Demolli.
I mllefosur me masat e fundit u shpreh edhe këngëtari dhe njëherit përfaqësuesi i Divizionit të Dasmave në OHT, Afrim Muçiqi.
Ai në një bisedë me Ekonomia Online deklaroi se këto masa janë të pakuptimta dhe shtoi se po ndihen të tradhtuar.
“Të pakuptimta dhe në një forme si Odë dhe departament kemi qenë të tradhtuar. Përderisa nuk na cenohet integriteti ne kemi respektuar masat. Andaj me përfaqësuesit e të gjitha regjioneve kemi mbajtur takimi dhe po shohim që protesta është e pashmangshme”.