Të martën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit të ketë reshje shiu, lokalisht në formë rrebeshi.
Sipas Meteo Kosova dita do të vijojë kryesisht e vranët, me reshje lokale shiu herë pas here. Po ashtu, pritet depërtimi i frontit të ftohtë, fillimisht nga zonat veriore, e më pas, gjatë pasdites, deri në zonat jugore, me ç’rast reshjet e shiut pritet të shndërrohen në shqotë dhe borë.
Era do të fryjë fillimisht nga juglindja, ndërsa gjatë depërtimit të frontit do të zhvendoset nga veriu. Në momente të caktuara pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 20–60 km/h.
Temperaturat minimale do të luhaten nga 3 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale nga 5 deri në 10°C. Gjatë depërtimit të frontit pritet rënie e shpejtë e temperaturave.
