Parregullsi në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, kërkohet të rikthehet në pikën zero

Parregullsi në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit, kërkohet të rikthehet në pikën zero

Me pakënaqësi të shumta është përshkuar procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, me ç ‘rast përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar që procesi të anulohet në tërësi, shkruan Gazeta “Enigma”.

Më 18 mars Këshilli Prokurorial i Kosovës ka intervistuar kandidatët për kryeprokuror, ku i pari në listën e publikuar doli Blerim Isufaj, i cili aktualisht ushtron pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Gëzim Shala nga IKD, ka kërkuar që ky proces të rikthehet në pikën zero, në të kundërtën sipas tij e tërë barra bie tek presidentja Vjosa Osmani.

“Kushtetua dhe ligjet promovojnë një proces të paanshëm kjo frymë pengohet si nga udhëzuesi e po ashtu edhe nga formulari. Disa prej çështjeve në këtë formular janë të ndërtuara mbi bazën e legjislacionit që nuk është më në fuqi. Edhe shumë kandidat e kanë pasur një lloj vështirësi për të dalluar kompetencat ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial. Këshilli Prokurorial ka shpallur konkursin dhe kanë aplikuar 6 kandidatë. Arben Ismaili ka kërkuar nëse emërimi i tij përbën konflikt interesi. Arben Ismaili është tërhequr nga gara. Blerim Isufaj 8 muaj më vonë është zgjedhur në prokurorinë speciale. Këshilli prokurorial ka pasur mundësi ta trajtojë këtë çështje por nuk ka shprehur vullnetin”, ka thënë ai.

Tutje ai tha se gjatë monitorimit të këtij procesi është vërejtur një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve.

“Për Blerim Isufaj ka pasur preferencë edhe gjatë intervistës. Nëse kërkohet rishpallja e konkursit procesi kthehet në pikën zero. Këshilli në bazë të ligjit duhet ta caktojë ushtruesin e detyrës. Procedurat për emërimin e kryeprokurorit janë të qarta nëse ka vullnet nga këshilli e që definitivisht duhet të ketë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se nëse këshilli nuk merr rekomandim për të kthyer në pikën zero edhe presidentja duhet ta marrë në konsideratë këtë vendim.

Të njëjtat paknaqësi i ka shprehur edhe Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS-ja e cila ka paraqitur rekomandimet e nxjerra nga koalicioni i OJQ-ve, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL.

“Koalicioni rekomandon që komisioni vlerësues të publikojë vlerësimin me arsyetimin mbi poentimin për secilin kandidatë, në mënyrë që të arrihet transparencë e plotë deri në fundit të procesit. KPK-ja të anulojë procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni i OJQ-ve; të shpallet konkurs i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës sa i përket publikimit të koncept-dokumentit dhe procesit të intervistimit”, ka rekomanduar ajo.

Tutje ajo ka shtuar se “KPK-ja të plotësojë dhe ndryshojë rregulloren për procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, në formularin e koncept-dokumentit ngase i njëjti nuk siguron meritokraci; pyetjet në koncept-dokument duhet të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që të vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuri të përgjithshme”, ka thënë Hoxha-Zhuja.

Gazeta “Enigma” ka provuar të kontaktoj edhe me Ministrinë e Drejtësisë për këtë cështje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Si zgjidhet Kryeprokurori i ri?  

I pari në listën e publikuar për Kryeprokuror të shtetit ka dalur emri i Blerim Isufajt, i cili është një nga emrat më të përfolur që pritej të zgjidheshin në këtë pozitë.

I dyti ishte Shqipdon Fazliu, ndërsa pastij janë radhitur Kujtim Munishi, Armend Hamiti dhe Lulzim Sulejmani.

Pamje nga kryesia e Prokurorisë Speciale

Blerim Isufaj është vlerësuar me 98 pikë, ndërsa pas tij radhiten Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë. E më së paku pikë në këtë garë mori Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Në bazë të Rregullores për emërimin e kryeprokurorit të shtetit, vetëm emri i Blerim Isufajt do të dërgohet për votim në KPK. Kjo pasi dallimi ndërmjet tij dhe kandidatit të dytë është më shumë se tre përqind të poentimit.

Pas fazës së ankesave që kanë kandidatët, emri i Isufajt do të shkojë për votim në KPK.

 E në rast se i njëjti merr dritën e gjelbër, emri i tij do të shkojë tek presidentja Vjosa Osmani për dekretim.

Kush është Blerim Isufaj?

Blerim Isufaj, aktualisht është Kryeprokurori i ri i Prokurorisë më të rëndësishme në vend, të Prokurorisë Speciale.

Rrugën në sistemin drejtëissë, Isufaj e kishte nisur në Prokurorinë e Pejës si praktikant për tu bërë më pas bashkëpunëtor profesional në këtë Prokurori.

Blerim Isufaj, Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale

Ai në vitin 2008 nga pozita e bashkëpunëtorit në Prokurori ishte bërë këshilltar politik në Ministrinë e Drejtësisë, dikaster ky që në atë kohë drejtohej ministrja Nekibe Kelmendi.

Më pas në vitin 2010 Isufaj ishte zgjedhur Prokuror i Krimeve të Rënda për të kaluar në Prokurorinë Speciale në vitin 2013, pozitë të cilën e kishte ushtruar deri në vitin 2016.

Në janar të vitit 2016, Blerim Isufaj nisur një rrugëtim të ri. Atë të kryesimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Emri i Isufajt përmendet edhe në akuzat që ish prokurori Special Elez Blakaj kishte bërë para se ta lëshonte Kosovën.

Në letrën e prokurorit Blakaj figuronte edhe emri i Blerim Isufajt, të cilin Blakaj e akuzonte se kishte bërë presion që ta largonte nga lista e të akuzuarve Ministrin e FSK-së, Rrustem Berishaj.

 “Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar prokurori Blakaj. / Gazeta Enigma.

Related Articles