Sipas modelit të Bazelit, punëdhënësi do të transferojë automatikisht një pjesë të pagës bruto te administrata tatimore si parapagesë e tatimeve.
Pas miratimit të modelit të ri në Bazel, tani edhe kantoni i Cyrihut po shqyrton mundësinë që tatimet të zbriten automatikisht nga paga e punonjësve.
Debati është hapur pasi votuesit në Bazel miratuan me 53.4% të votave një sistem të ri që synon të luftojë borxhet nga tatimet e papaguara.
Sipas modelit të Bazelit, punëdhënësi do të transferojë automatikisht një pjesë të pagës bruto te administrata tatimore si parapagesë e tatimeve.
Për punonjësit që jetojnë në qytetin e Bazelit zbritja është 10%, ndërsa për ata në Riehen dhe Bettingen 5%. Megjithatë, sistemi nuk është i detyrueshëm për punonjësit, të cilët mund të zgjedhin të mos marrin pjesë në të, shkruan blick, transmeton albinfo.ch.
Përkrahësit argumentojnë se kjo masë mund të ulë ndjeshëm numrin e personave që futen në borxhe për shkak të faturave tatimore, duke e bërë pagesën e tatimeve më të lehtë dhe më të planifikueshme gjatë vitit. Sipas të dhënave federale, gati 10% e popullsisë zvicerane has vështirësi në pagesën e tatimeve.
Nga ana tjetër, kundërshtarët paralajmërojnë se sistemi rrit barrën administrative për kompanitë dhe mund të krijojë burokraci shtesë pa e zgjidhur domosdoshmërisht problemin e borxheve. Ata argumentojnë se përgjegjësia për pagesën e tatimeve duhet të mbetet te qytetarët dhe jo te punëdhënësit.
Sipas Blick, suksesi i modelit të Bazelit ka nxitur diskutime edhe në Cyrih, ku politikanë dhe ekspertë po analizojnë nëse një sistem i ngjashëm mund të zbatohet edhe në kantonin më të madh të Zvicrës. Nëse kjo ndodh, mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si mblidhen tatimet në vend.
