Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione kundër disa zyrtarëve në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të korrupsionit dhe aktiviteteve destabilizuese.
Në një deklaratë zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit përmenden dy zyrtarë që janë futur në listën e zezë si të padëshiruar.
Ish-kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës dhe kryetari i Lëvizjes për Veprim Demokratik, Milan Tegeltija dhe Përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare, Mirsad Kukiq, janë futur në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.
Vendimi i SHBA-së i bën Tegeltijan dhe Kukiqin të papërshtatshëm dhe atyre u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.
“Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverisë së tyre, si dhe paqen dhe prosperitetin për qytetarët e Bosnjës”, thuhet ndër tjerash në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
“Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i KLPGJ-së, Tegeltija ishte i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitimin e tij personal. Konkretisht, ka informacione të besueshme se Tegeltija e ka përdorur pozicionin e tij për të kërkuar përfitime në këmbim të ndërhyrjes në një proces gjyqësor, si dhe manipulimit të emërimeve në drejtësi dhe punësimeve të tjera publike”, thuhet më tej në deklaratë.
Ndërkaq Kukiq thuhet se ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përdorur ndikimin e tij politik dhe pushtetin zyrtar për përfitim personal.
“Konkretisht, ka informacione të besueshme që Kukiq përvetësoi fondet publike për përfitime personale dhe ndërhyri në vendimet e punësimit dhe emërimit për të përfituar politikisht”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
Përveç Kukiqit dhe Tegeltijas, Departamenti i Shtetit e ka shpallur të padëshirueshme edhe bashkëshorten e këtij të fundit, Tijana Tegeltija./Gazeta Enigma/