Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi bashkëpartiaku i saj Arben Vitia dha sot dorëheqje nga pozita e Ministrit të Shëndetësisë.
Pavarësisht se i njëjti është kritikuar në vazhdimësi për keqmenaxhim me pandeminë dhe është kërkuar dorëheqja e tij, Haxhiu ka thënë se ai ka bërë punë të jashtëzakonshme.
“Falemnderit për punën e jashtëzakonshme në kohën më të vështirë për qytetarët dhe vendin!”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i kishte dalë në mbrojtje Vitisë, pasi ky i fundit është kritikuar për menaxhimin e pandemisë.
Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, ka përgëzuar Vitinë për punën që po bën, në ditën kur vdiqën 18 qytetarë si pasojë e COVID-19.
“Heq kapelen para kolegut tim, Arben Vitia. Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën”, kishte shkruar Gërvalla.