Ndonëse komuniteti ndërkombëtar po i vazhdon përpjekjet diplomatike për arritjen e armëpushimit sa më shpejt, sulmet ajrore të forcave izraelite dhe sulmet e Hamasit me raketa vazhduan edhe të enjten pas një pauze prej disa orësh.
Sulmet me raketa ndaj Izraelit u ndalën për tetë orë të enjten, në ditën e njëmbëdhjetë të luftimeve, para se të rifillonin përsëri kundër komuniteteve afër kufirit me Gazën, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në anën tjetër, Izraeli i vazhdoi sulmet ajrore në Gaza, duke thënë se dëshiron t’i parandalojë grupet islamike nga kryerja e përleshjeve në të ardhmen.
Të mërkurën, presidenti amerikan, Joe Biden, kërkoi nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që ta de-eskalojë situatën, ndërsa një burim i sigurisë në Egjipt tha se palët kanë arritur marrëveshje në parim për armëpushim, por po vazhdojnë diskutimet për hollësitë e paktit.
LEXO EDHE: Efekti Biden: Ndërpriten për disa orë luftimet mes Izraelit e Palestinës, s’dihet a do të vazhdojnë
Një zyrtar politik i Hamasit tha se beson që përpjekjet për arritjen e armëpushimit do të kenë sukses dhe se një rezultat konkret pritet në 48 orët e ardhshme.
Sipas zyrtarëve palestinezë, deri më tani në Gaza janë vrarë 228 persona, përfshirë mbi 60 fëmijë. Izraeli ka thënë se në territorin e tij deri më tash janë vrarë 12 persona.