Futbollistit të Danimarkës, Christian Eriksenit, do t’i vendoset një defibrilator kardioverter i implantueshëm në zemër, pas arrestit kardiak që e pësoi në fushë në një ndeshje të Euro 2020 të shtunën, ka konfirmuar mjeku i Kombëtares së Danimarkës, Morten Boesen.
Ky defibrilator (ICD), është një pajisje e vogël elektronike e lidhur me zemrën që përdoret për të monitoruar dhe rregulluar problemet elektrike potencialisht të shpejta dhe kërcënuese për jetën.
Mjeku i Eriksenit tha se ai kishte “vdekur”, por tretmani i shpejtë mjekësor në fushën e lojës dhe më pas nga stafi mjekësor bëri që ai të rikthehej.
Duke folur të enjten për gjendjen e tij shëndetësore, Boesen tha se është e nevojshme vendosja e kësaj paisje.
Më tutje ai shtoi se Erikseni e ka pranuar këtë vendim dhe se plani është konfirmuar edhe nga specialistët vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët e kanë rekomanduar tretmanin e njëjtë.
Në përfundim të pjesës së parë mes Danimarkës dhe Finlandës, në ndeshjen hapëse të Grupit B në Euro 2020, Eriksen pësoi arrest kardiak në fushë derisa u rikthye në jetë me defibrilator nga ekipi mjekësor i kombëtares.
Më pas ai u dërgua në spitalin ‘Rigshospitalet’ i cili ndodhet afër stadiumit Parken në Kopenhagë, ku vazhdon të qëndrojë i shtrirë.